Një pagesë prej 1000 eurosh për dhurimin e vezëve femërore. Ky është propozimi që gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare” thonë se kanë dokumentuar gjatë një investigimi në disa klinika fertiliteti në Tiranë, ku procedura ofrohej kundrejt pagesës, ndonëse ligji shqiptar e ndalon shitblerjen e ovociteve.
Investigimi nisi nga një faqe në TikTok me emrin “EGG” (Vezët), e cila reklamonte mundësinë e përfitimit të 1000 eurove nga dhurimi i vezëve. Gazetarët kontaktuan faqen duke shprehur interes për procedurën.
Fillimisht, personat që administronin profilin kërkuan të dhëna personale si emri, mosha, gjatësia, pesha, ngjyra e syve dhe grupi i gjakut. Gjithashtu, kërkuan që komunikimi të vijonte përmes aplikacionit Telegram.
Në këtë platformë, gazetarëve iu kërkuan edhe datat e fillimit dhe përfundimit të ciklit menstrual. Gjatë bisedave u konfirmua shuma prej 1000 eurosh për personat me pasaportë shqiptare, ndërsa pagesa, sipas komunikimit, do të kryhej ditën e dhurimit. Më pas, një koordinatore e spitalit do të kontaktonte personin e interesuar.
Pak më vonë, gazetarja mori një mesazh nga një koordinatore e Turkish International Hospital, e identifikuar si Lira.
Gjatë takimit në ambientet e spitalit, në zonën e Bllokut, koordinatorja shpjegoi se fillimisht vajza duhej t’u nënshtrohej analizave, përfshirë kontrollin e grupit të gjakut dhe ekzaminime të tjera, si dhe një vizitë gjinekologjike. Këto kontrolle do të përcaktonin nëse ajo ishte e përshtatshme për procedurën. Sipas saj, vezët duhej të ishin të shëndetshme, pasi do të përdoreshin për të mundësuar lindjen e një fëmije. Ajo konfirmoi gjithashtu se pagesa do të bëhej në para në dorë nga spitali.
Kur gazetarja u rikthye për ta pyetur për ofertën prej 1000 eurosh dhe tregtinë e vezëve, koordinatorja mohoi procedurën. Ajo u justifikua duke thënë: “E kam pyetur vajzën si i beson TikTok”, përpara se të mbyllej në zyrë dhe të refuzonte të jepte shpjegime të mëtejshme.
Investigimi vijoi edhe në klinikën gjinekologjike Glozheni. Fillimisht, një mjek konfirmoi pagesën prej 1000 eurosh dhe nevojën për të ndjekur trajtimin e përcaktuar. Gjatë vizitës, mjeku Elko Glozheni shpjegoi se fillimisht duheshin kryer analizat për të vlerësuar nëse vajza i plotësonte kushtet për procedurën, dhe më pas e drejtoi gazetaren në laborator.
Kur gazetarët u rikthyen për t’u përballur me të lidhur me atë që kishin dokumentuar, Glozheni deklaroi se duhej të dilnin jashtë për të biseduar, duke thënë se ishte më mirë të mos dëgjohej biseda. “Nuk shet njeri vezë”, u shpreh ai, pa dhënë një shpjegim për pagesën prej 1000 eurosh të përmendur më herët.
Në vijim, “Fiks Fare” iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë për të sqaruar kuadrin ligjor që rregullon dhurimin e vezëve femërore kundrejt pagesës.
Në përgjigjen zyrtare, ministria iu referua nenit 6, pika 1, të ligjit nr. 10454, datë 21.07.2011, “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe organeve me origjinë njerëzore për qëllim transplanti”. Sipas këtij përcaktimi ligjor, dhurimi nuk mund të bëhet për përfitime financiare. Për rrjedhojë, shitja dhe blerja e ovociteve femërore nuk lejohet në Shqipëri.
Përmes pamjeve dhe komunikimeve të regjistruara, emisioni pretendon se ka dokumentuar ofrimin e pagesave për dhurimin e vezëve në dy struktura shëndetësore në Tiranë, ndërsa përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë konfirmon se shitblerja e tyre është e ndaluar me ligj.


