Çështja penale ndaj Lindsay Clancy-t, e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj në vitin 2023, nuk do të pushohet. Një gjykatës në Massachusetts të SHBA-së ka refuzuar kërkesën e paraqitur nga mbrojtja e saj.
Vendimi lë të hapur mundësinë e një gjyqi të dytë. Procesi i parë përfundoi pa një verdikt për shkak të mosmarrëveshjeve në juri. Mbrojtësit e Clancy-t kërkuan rrëzimin e akuzave me argumentin se rigjykimi do të shkelte ndalimin ligjor të gjykimit dy herë për të njëjtën vepër penale.
Të lidhura
None found
Gjykatësi William Sullivan nuk e pranoi këtë argument. Ai vlerësoi se gjyqi i parë ishte shpallur i pavlefshëm pasi juria nuk kishte arritur një vendim unanim. Sipas BBC-së, procesi përfundoi më 4 shtator, kur 12 anëtarët e jurisë nuk ranë dakord nëse e pandehura ishte fajtore apo e pafajshme.
Clancy nuk e mohon se ka shkaktuar vdekjen e tre fëmijëve të saj. Megjithatë, mbrojtja thotë se në kohën e ngjarjes ajo vuante nga një formë e rëndë e psikozës pas lindjes, e cila kishte ndikuar rëndë në gjendjen e saj mendore. Prokuroria, nga ana e saj, këmbëngul se vrasjet ishin të qëllimshme dhe kërkon vazhdimin e ndjekjes penale.
Sullivan refuzoi edhe kërkesën e mbrojtjes për të marrë në pyetje nën betim anëtarin e vetëm të jurisë që kishte kundërshtuar arritjen e një vendimi. Gjykatësi e cilësoi një hap të tillë të papërshtatshëm dhe ndërhyrje në pavarësinë e jurisë.
Në arsyetimin e vendimit, ai theksoi se mungesa e marrëveshjes mes anëtarëve të jurisë ishte arsye e mjaftueshme për ta shpallur gjyqin të pavlefshëm. Sipas tij, zhvillimi i një procesi të ri nuk cenon të drejtat kushtetuese të Clancy-t.
Një seancë dëgjimore është caktuar për 16 nëntor, kur pritet të diskutohet kalendari i rigjykimit. Gjykatësi kishte përmendur më parë marsin si muajin e mundshëm për nisjen e procesit të dytë.







