
Kompania gjermane Nordex Group hyn për herë të parë në tregun shqiptar të energjisë, përmes një kontrate me kompaninë austriake VERBUND për furnizimin dhe instalimin e 12 turbinave me erë në Spille, me një kapacitet të përgjithshëm prej 84 MW.
Projekti shënon një tjetër investim të huaj në sektorin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri, ku vitet e fundit interesi i investitorëve është përqendruar kryesisht te parqet fotovoltaike, ndërsa shfrytëzimi i energjisë së erës mbetet ende në fazat e para të zhvillimit.
Sipas njoftimit të Nordex, kontrata me VERBUND Green Power parashikon furnizimin dhe instalimin e 12 turbinave të modelit N163/6.X, si dhe një marrëveshje 15-vjeçare për mirëmbajtjen dhe shërbimet teknike. Vlera financiare e kontratës ende nuk është bërë publike.
Parku eolik do të ndërtohet në zonën e Spilles, rreth 50 kilometra në jug të Durrësit, ndërsa nisja e prodhimit të energjisë elektrike është planifikuar për pranverën e vitit 2028.
Hyrja e Nordex në Shqipëri është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë bashkëpunimi me VERBUND Green Power, të nënshkruar në janar të vitit 2026. Marrëveshja parashikon furnizimin e mundshëm me turbina ere me një kapacitet total deri në 700 MW në gjashtë tregje europiane, përfshirë Shqipërinë.
Për tregun shqiptar, projekti ka rëndësi në drejtim të diversifikimit të prodhimit të energjisë elektrike, i cili vazhdon të mbështetet kryesisht te hidrocentralet. Varësia nga prurjet hidrike e ekspozon vendin ndaj luhatjeve të prodhimit vendas dhe nevojës për importe gjatë periudhave me reshje të pakta.
Ndryshe nga investimet në energjinë diellore, të cilat kanë njohur një zgjerim të ndjeshëm, projektet e energjisë së erës kanë ecur më ngadalë. Realizimi i parkut të Spilles do të shtonte një burim të ri prodhimi në sistemin elektroenergjetik, duke krijuar mundësi për një strukturë më të diversifikuar të ofertës vendase.
Për Nordex, kontrata shënon zgjerimin e aktivitetit në një treg të ri të Europës Juglindore, ndërsa për VERBUND përfaqëson një tjetër hap në zhvillimin e portofolit të investimeve në energjinë e rinovueshme.
Projekti pritet të kontribuojë në shtimin e kapaciteteve vendase të prodhimit, por ndikimi i tij në uljen e importeve dhe në bilancin energjetik do të varet nga prodhimi efektiv pas vënies në funksionim.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor