Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kosova i nis përgatitjet me 15 lojtarë

stërvitja

Foto: FFK

Vedat Muriqi ka paralajmëruar në disa raste se pensionimi nga Kosova nuk është shumë larg. Por kapiteni i Kosovës në njërën prej paraqitjeve në konferencat para dhe pas ndeshjeve, kishte shprehur një dëshirë. Që kur të pensionohet nga përfaqësuesja e Kosovës, vendin në sulm ta lërë në duar të sigurta. 

Njëri prej atyre që mund ta zëvendësojë në të ardhmen sulmuesin bindshëm më të mirë të Kosovës, mund të jetë Enis Rexhepi, talenti 18-vjeçar i Stuttgartit.

Rexhepi të hënën ishte për herë të parë në stërvitjen e Kosovës, e cila i nisi përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve. 

Rexhepi ishte njëri prej 15 lojtarëve që u paraqitën në fushë në ditën e parë të grumbullimit për ndeshjet e rëndësishme të Grupit B3, kundër Izraelit dhe Irlandës.

Ndeshjen ndaj izraelitëve, “Dardanët” e zhvillojnë të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse tri ditë më pas luajnë ndaj irlandezëve në udhëtim.

Edhe Enis Rexhepi në Prishtinë: Për Kosovën vendosa me zemër Futboll Enis Rexhepi në Prishtinë: Për Kosovën vendosa me zemër

Sulmuesi shtatlartë, Rexhepi, nuk i ndahej Muriqit gjatë ngrohjes para se të nisnin punën e vërtetë futbollistët “dardanë”. 

Rexhepi dha sinjal qysh në stërvitjen e parë me Kosovën se synon të mësojë nga Muriqi.

Rexhepi po zhvillohet te Stuttgarti dhe vlerësohet talent i madh. Së fundmi po paraqitet për të rinjtë e Stuttgartit në kategorinë e tretë gjermane dhe në Championsin e të rinjve. Në 18 paraqitje në të gjitha garat i ka 16 gola e dy asistime.

Muriqi 32-vjeçar është bindshëm golashënuesi më i mirë i Kosovës me 33 gola në 71 paraqitje.
Pjesë e Kosovës është prej vitit 2016, kur Kosova fitoi të drejtën, pas pranimit në UEFA dhe FIFA, të paraqitet në kualifikimet për Botëror e Evropian.

Muriqi dukej në disponim të mirë, ashtu si edhe lojtarët tjerë të pranishëm në stërvitjen e mbajtur në Kampin Nacional në Hajvali, të hënën mbrëma.

Në stërvitje ishin tre portierët, Aro Muriq, Amir Shaipi e Visar Bekaj.

Nuk munguan as Mërgim Vojvoda, Milot Rashica, Dion Gallapeni, Elvis Rexhbeçaj.

Për shkak të ndeshjeve në fundjavë, Kosovës në stërvitjen e parë i mungoi dyshja në formë të mirë te Hoffenhemi, Fisnik Asllani e Leon Avdullahu. Nuk u paraqit as Edon Zhegrova. 

Edhe Emra të rinj te Kosova për ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve Futboll Emra të rinj te Kosova për ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve

Stërvitja e dytë, që do të zhvillohet të martën, pritet të mbahet me të gjithë lojtarët e ftuar për ndeshjet kundër Izraelit dhe Irlandës.

Për herë të parë Kosovës i bashkohen edhe mbrojtësit Lindrit Kamberi dhe Bleon Kurtulush.