Regjistruesi i zërit në kabinën e pilotëve pritet të ndihmojë hetuesit për të zbardhur rrethanat e rrëzimit tragjik të avionit privat Learjet në Palm Beach, Florida, ku humbën jetën nëntë persona më 1 nëntor.
Pajisja, e cila është pjesë e kutisë së zezë të avionit, mund të ketë ruajtur momentet e fundit të ekuipazhit përpara përplasjes, përfshirë bisedat mes pilotëve, komunikimet me kullën e kontrollit dhe alarmet e dëgjueshme brenda kabinës.
Zyrtarët bëjnë me dije se regjistruesi është dërguar në Laboratorin e Regjistrimit të të Dhënave të Automjeteve pranë Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB), në Uashington, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve për të përcaktuar nëse të dhënat mund të rikuperohen.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se punimet e gërmimit dhe kërkimet në vendin e rrëzimit kanë përfunduar.
Regjistrimet e mundshme konsiderohen me rëndësi për hetimin, pasi mund t’u japin ekspertëve mundësinë të rindërtojnë komunikimet dhe vendimmarrjen e pilotëve në sekondat e fundit të fluturimit. Avioni u rrëzua me shpejtësi të lartë dhe në një kënd të pjerrët zbritjeje, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave në bord.
Avioni privat, me vlerë rreth 2 milionë dollarë, ishte nisur nga Austin i Teksasit dhe kishte si destinacion Bahamas. Në bord ndodhej biznesmeni dhe drejtuesi i një kompanie teknologjike, 44-vjeçari Adam Robinson, së bashku me bashkëshorten e tij, Ellen Sharp, dy fëmijët e tyre dhe dadon 24-vjeçare, Anita Ramirez Cetina.
Në aksident humbën jetën gjithashtu kapiteni Jeff Gregory, 55 vjeç, dhe bashkëpilotja Nathalia Filgueiras, 20 vjeçe.
