
Një hetim i organizatës spanjolle Maldita.es ka identifikuar mbi 20 mijë profile të dyshuara për lidhje me pedofilinë në platformën TikTok, ndërsa ka zbuluar edhe më shumë se 1 mijë video me përmbajtje të abuzimit seksual ndaj fëmijëve, të cilat kanë grumbulluar rreth 48 milionë shikime.
Monitorimi zgjati 35 ditë, nga 11 shtatori deri më 15 tetor, dhe identifikoi mbi 7 mijë profile në gjuhën spanjolle. Raporti, i titulluar “TikTok: Shtëpia e pedofilit”, është hetimi i tretë i kësaj organizate për përmbajtjet e abuzimit seksual ndaj fëmijëve në platformë.
Gjatë kërkimit, ekipi analizoi profile, komente dhe transmetime të drejtpërdrejta, duke krijuar edhe llogari të posaçme për të vëzhguar mënyrën se si funksionon algoritmi i platformës. Sipas raportit, u identifikuan 231 profile që publikuan 1.183 materiale me përmbajtje eksplicite, 780 llogari që përdornin rrjetin për të gjetur blerës dhe mbi 10 mijë profile që kërkonin shkëmbimin e imazheve seksuale në komente. Në total, organizata raportoi rreth 26 mijë llogari të dyshuara.
Hetimi dokumentoi gjithashtu 91 transmetime të drejtpërdrejta nga të mitur në 17 vende, gjatë të cilave përdoruesit u kërkonin fëmijëve të kryenin veprime, në disa raste me natyrë seksuale, në këmbim të parave. Vendet që u shfaqën më shpesh në këtë monitorim ishin Spanja, Tajlanda, Vietnami, Mianmari dhe Rusia.
Organizata testoi edhe reagimin e TikTok-ut, duke raportuar në platformë 50 video me përmbajtje eksplicite, të cilat kishin marrë gjithsej 8,9 milionë shikime. Prej tyre, vetëm pesë u fshinë, ndërsa 13 të tjera u bllokuan vetëm për përdoruesit në Spanjë. Pas 72 orësh, 40% e llogarive që kishin publikuar videot vijonin të ishin aktive.
Në ditën e fundit të monitorimit, 136 nga 231 profilet që publikonin përmbajtje eksplicite, ose 59% e tyre, vijonin të ishin në platformë. Sipas Maldita.es, disa prej materialeve më të vjetra të identifikuara datonin që nga muaji qershor dhe vazhdonin të ishin të aksesueshme më shumë se katër muaj më vonë.
Pas publikimit të gjetjeve, Ministria spanjolle e Rinisë dhe Fëmijërisë i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të ndërhyjë për të hetuar rastet e dokumentuara dhe për të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e të miturve. Ministrja Sira Rego kërkoi gjithashtu një takim urgjent me përfaqësuesit e TikTok-ut në Spanjë, për të marrë shpjegime mbi moderimin e përmbajtjeve dhe masat që platforma synon të ndërmarrë.
Ministria la të hapur edhe mundësinë e pezullimit të përkohshëm të shërbimit të TikTok-ut në Spanjë, nëse autoritetet vlerësojnë se platforma nuk garanton mbrojtjen e fëmijëve. Megjithatë, një masë e tillë do të kërkonte bazë të mjaftueshme ligjore, vlerësim të proporcionalitetit dhe përfshirjen e një gjykate.
Ndërkohë, Maldita.es dhe studioja ligjore Cremades & Calvo-Sotelo kanë paraqitur një kallëzim në Prokurorinë për Krimet Kibernetike, duke ngritur pikëpyetje mbi përmbushjen nga TikTok-u të detyrimeve që parashikon Akti Evropian për Shërbimet Digjitale.
Nga ana e saj, TikTok-u i ka kërkuar organizatës të vërë në dispozicion të gjitha të dhënat e hetimit. Burime të kompanisë kanë deklaruar për mediat spanjolle se mungesa e aksesit në rezultatet e plota e vështirëson identifikimin dhe fshirjen e përmbajtjeve të paligjshme. Sipas tyre, bashkëpunimi mes platformës, organizatave dhe autoriteteve është i domosdoshëm për të luftuar këtë fenomen.