Bota

Kina zgjat me dy muaj armëpushimin tregtar me Amerikën!

Kina zgjat me dy muaj pezullimin e tarifës shtesë prej 24% për mallrat amerikane, duke shtyrë deri në janar 2027 afatin e armëpushimit tregtar me Shtetet e Bashkuara.

Vendimi hyn sot në fuqi ndërsa tarifa ekzistuese prej 10% për importet amerikane do të vazhdojë të zbatohet, sipas Bloomberg-ut.

Pekini njoftoi gjithashtu zgjatjen deri më 10 janar 2027 të pezullimit të tarifave të posaçme portuale për anijet e lidhura me SHBA-të, si dhe të disa kufizimeve për eksportin e mineraleve kritike e teknologjive përkatëse.

Masat pasojnë marrëveshjen e arritur në shtator në Uashington mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut kinez, Xi Jinping, për vazhdimin e armëpushimit tregtar.

Marrëveshja fillestare ishte arritur në tetor 2025, gjatë takimit të dy udhëheqësve në Busan të Koresë së Jugut. Në atë kohë, të dy vendet ranë dakord të pezullonin tarifat shtesë prej 24%, duke ruajtur ato 10%.

Pas takimit të shtatorit, Uashingtoni dhe Pekini propozuan një paketë uljesh reciproke tarifore me vlerë rreth 60 miliardë dollarë.

Paketa që ende nuk është finalizuar, përfshin produkte bujqësore amerikane me vlerë rreth 17 miliardë dollarë, bazuar në importet kineze të vitit 2024.

Autoritetet kineze njoftuan se do të vazhdojnë të ndjekin planet amerikane për zëvendësimin e disa tarifave të shpallura të pavlefshme nga gjykatat me masa të reja sipas Seksionit 301 të legjislacionit tregtar të SHBA-ve.

Trump dhe Xi pritet të takohen sërish gjatë samitit të APEC në Kinë, javën e ardhshme.