Për një individ, familje apo të ri që kërkon të blejë një shtëpi sot, blerja e një banese është bërë shumë më e vështirë se pesë apo dhjetë vjet më parë. Çmimet e apartamenteve janë rritur me ritme shumë më të shpejta se të ardhurat e familjeve, duke e bërë gjithnjë e më të pamundur blerjen e një banese me kursimet nga puna (e ndershme).
Një familje sot duhet të punojë vite më tepër, apo të marrë një kredi në shuma të larta, që të kenë mundësi të zotërojë një apartament.
Sipas një përllogaritjeje të bërë nga “Monitor”, raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave të disponueshme për frymë në Shqipëri është rritur me 76.3% gjatë periudhës 2015–2025.
Për të blerë të njëjtën banesë, sot nevojiten rreth 76% më shumë të ardhura vjetore se në vitin 2015.
Për shembull, nëse dhjetë vjet më parë vlera e një apartamenti ishte e barabartë me të ardhurat e dhjetë viteve, sot do të duheshin rreth 17.6 vite të ardhura, nëse ato do të përdoreshin tërësisht për blerjen e banesës.
Përllogaritja është bërë nga “Monitor”, duke ndjekur metodën e përdorur nga Eurostat për të matur ndryshimin e raportit mes çmimeve të banesave e të ardhurave të familjeve.
Për Shqipërinë janë përdorur të dhënat e INSTAT-it për të ardhurat e disponueshme bruto të familjeve, të cilat janë pjesëtuar me popullsinë mesatare të çdo viti, sipas serisë së rishikuar pas Censit 2023.
Sipas INSTAT-it, të ardhurat e disponueshme bruto për frymë u rritën nga rreth 429 mijë lekë në vitin 2015 në 765 mijë lekë në vitin 2025, ose me 78.4%. Këto të ardhura përfshijnë jo vetëm pagat, por edhe burime të tjera të të ardhurave të familjeve, pasi merren parasysh shpërndarja dhe rishpërndarja e të ardhurave në ekonomi.
Për të matur ecurinë e çmimeve të banesave është përdorur indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë, i cili bazohet në vrojtimin e tregut të pasurive të paluajtshme.
Nga mesatarja e të dhënave gjashtëmujore rezulton se indeksi i çmimeve të banesave në Shqipëri është rritur me 214.4% gjatë periudhës 2015–2025. Pra, çmimet janë më shumë se trefishuar, ndërsa të ardhurat e disponueshme për frymë janë rritur me rreth 78%.
Për llogaritjen është përdorur vlera nominale e të ardhurave, në përputhje me krahasimin e çmimeve nominale të banesave. Treguesi mat ndryshimin e përballueshmërisë në kohë, por nuk përfshin kostot e kredisë, interesat apo shpenzimet e tjera të blerjes.
Në Tiranë, çmimet janë dyfishuar brenda dhjetë vjetësh
Rritja e çmimeve bëhet edhe më e prekshme nëse shihen vlerat konkrete të apartamenteve në Tiranë. Sipas të dhënave të Key Data, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve në kryeqytet ishte rreth 860 euro për metër katror në vitin 2015.
Në vitin 2020 arriti në 1,038 euro, ndërsa në vitin 2025 u ngjit në rreth 1,950 euro për metër katror, duke e mbyllur vitin në nivelin e gati 2100 euro, nga rreth 1800 në fillim të tij. Shtrenjtimi ka vijuar dhe në tremujorin e parë, duke arritur në 2140 euro për metër katror.
Brenda pesë viteve të fundit, çmimi mesatar i apartamenteve në Tiranë është rritur me rreth 88%, ndërsa krahasuar me vitin 2015, rritja arrin në 127%.
Për një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë, vlera mesatare e llogaritur sipas këtyre çmimeve do të ishte rreth 86 mijë euro në vitin 2015, 104 mijë euro në vitin 2020 dhe 195 mijë euro në vitin 2025. Pra, një apartament i kësaj sipërfaqeje kushton sot rreth 109 mijë euro më shumë se dhjetë vjet më parë.
Shqipëria, rritje më e lartë se vendet e BE-së, ia kalon dhe Portugalisë
Rritja e raportit mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por përmasat e saj ndryshojnë ndjeshëm mes vendeve.
Sipas Eurostat-it, në Bashkimin Europian, raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave për frymë ishte 6.8% më i lartë në vitin 2025 krahasuar me vitin 2015. Në 17 vende të BE-së ky raport u rrit, ndërsa në dhjetë vende të tjera u ul.
Portugalia kishte rritjen më të lartë, me 60.8%, e ndjekur nga Holanda me 34.3%, Hungaria me 26.5%, Çekia me 25.8% dhe Spanja me 24.5%.
Në skajin tjetër, Rumania regjistroi një ulje të raportit me 42.8%, Finlanda me 25.2% dhe Bullgaria me 16.2%.
Në Shqipëri, rritja prej 76.3%, e përllogaritur nga “Monitor”, është më e lartë edhe se ajo e Portugalisë, vendi me rritjen më të madhe në BE. Kjo e fundit shënoi një shtrenjtim të shpejtë të çmimit të banesave, të ndikuar nga rritja e fortë e turizmit.
Megjithatë, Shqipëria nuk përfshihet në statistikat e harmonizuara të Eurostat dhe krahasimi është orientues.
Për Shqipërinë janë përdorur indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë dhe të ardhurat e disponueshme bruto për frymë të familjeve, ndërsa Eurostat përdor indeksin e harmonizuar të çmimeve të banesave dhe të ardhurat bruto të disponueshme të përshtatura për frymë.
Treguesi nuk mat drejtpërdrejt se ku janë banesat më të shtrenjta, por sa ka ndryshuar çmimi i tyre në raport me të ardhurat e familjeve gjatë një periudhe të caktuar./Monitor