Bota Tech

Nvidia humbet mbi 4% në bursë/ Trump konfirmon hetimin e FBI-së ndaj drejtuesit të kompanisë!

Gjiganti amerikan i çipave Nvidia është përfshirë në një çështje që po krijon pasiguri për investitorët dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Presidenti Donald Trump konfirmoi se FBI-ja po heton rrethanat e marrëdhënies së drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Jensen Huang, me një biznesmene kineze, e dyshuar se ka pasur lidhje me shërbimet e Inteligjencës së Pekinit.

Aksionet e Nvidia e mbyllën tregtimin e 9 nëntorit, me një rënie prej më shumë se 4%, pasi bordi drejtues i kompanisë njoftoi nisjen e një hetimi të brendshëm për të përcaktuar nëse Huang kishte qenë objektiv i një operacioni të huaj të inteligjencës.

Zhvillimi ka tërhequr vëmendjen e Wall Street-it, jo vetëm për shkak të natyrës së akuzave, por edhe për peshën që Nvidia ka në tregun global të teknologjisë. Kompania është një nga përfitueset kryesore të bumit të Inteligjencës Artificiale, ndërsa procesorët e saj përdoren gjerësisht për trajnimin dhe funksionimin e modeleve të avancuara të AI-së.

Trump deklaroi se kishte komunikuar personalisht me Huang-un pas publikimit të raportimeve në media dhe se drejtuesi i Nvidia i kishte mohuar çdo dijeni për lidhjet e dyshuara të biznesmenes me inteligjencën kineze.

Presidenti amerikan u shpreh i befasuar nga akuzat, por shtoi se i besonte shpjegimit të Huang-ut. Ai konfirmoi gjithashtu se FBI-ja po shqyrton çështjen, duke shprehur besimin se drejtuesi i kompanisë do ta kalojë këtë situatë.

Huang konsiderohet një prej drejtuesve më me ndikim në industrinë amerikane të teknologjisë dhe ka krijuar marrëdhënie të afërta me administratën Trump, veçanërisht në një periudhë kur Nvidia ka kërkuar të ruajë aksesin në tregun kinez të çipave.

Në tetor, Trump i akordoi Huang-ut vlerësimin më të lartë amerikan për arritjet shkencore.

Po atë ditë, presidenti amerikan bëri të ditur se gjatë verës kishte blerë aksione të Nvidia me vlerë deri në 1,6 milionë dollarë dhe kishte shitur aksione të kompanisë me vlerë deri në 1 milion dollarë.

Zhvillimet e fundit e vendosin Nvidia në një situatë ku çështjet e qeverisjes së brendshme ndërthuren me politikën tregtare dhe sigurinë kombëtare amerikane.

Për kompaninë, rreziku ekonomik nuk kufizohet te reagimi afatshkurtër i bursës. Nëse hetimet sjellin masa të reja rregullatore ose kufizime tregtare, pasojat mund të shtrihen te strategjia e shitjeve, marrëdhëniet me klientët ndërkombëtarë dhe perspektiva e rritjes në tregjet aziatike.

Megjithatë, në këtë fazë, këto mbeten rreziqe të mundshme dhe jo pasoja të konfirmuara. Bordi i Nvidia vazhdon të shprehë besim tek drejtuesi i kompanisë, ndërsa hetimet dhe pretendimet ligjore mbeten të hapura./ Monitor