Dukesha e Sussex-it, Meghan Markle, është shfaqur për herë të parë në publik pas arrestimit dhe akuzave të rënda ndaj babait të saj, Thomas Markle, i cili dyshohet për posedimin e materialeve me përmbajtje të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Meghan mbërriti këtë të martë në Parlamentin Europian në Bruksel, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Princi Harry, ku çifti do të marrë pjesë në një aktivitet kushtuar sigurisë së fëmijëve në internet. Megjithatë, ndryshe nga sa ishte parashikuar, Meghan ka vendosur të mos mbajë fjalimin e saj, duke ia lënë bashkëshortit detyrën për të folur në aktivitet. Burime pranë familjes Sussex bëjnë me dije se dy javët e fundit kanë qenë emocionalisht të vështira për dukeshën.

Babai i Meghan, Thomas Markle, ndodhet aktualisht në arrest shtëpie dhe nën monitorim elektronik, pasi u paraqit të premten në një gjykatë në Florida, ku u akuzua për posedimin e imazheve të abuzimit seksual ndaj fëmijëve. Ai i ka mohuar më parë këto akuza.

Meghan ka qenë e shkëputur prej vitesh nga babai i saj. Thomas Markle nuk mori pjesë as në dasmën e vajzës së tij me Princin Harry në Uindsor, në vitin 2018, duke pretenduar në atë kohë se kishte probleme shëndetësore.

Kur lajmet për hetimin ndaj tij dolën në publik muajin e kaluar, Meghan reagoi përmes një deklarate, ku shprehu shqetësimin e thellë për situatën dhe deklaroi se shpresonte që drejtësia të vihej plotësisht në vend.

Vizita e çiftit në Parlamentin Europian lidhet me fushatën e tyre për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e rrjeteve sociale. Harry dhe Meghan do të prezantojnë në Bruksel instalacionin përkujtimor “Lost Screen Memorial”, i cili u lançua fillimisht në Nju Jork vitin e kaluar.

Projekti, i mbështetur nga fondacioni i tyre Archeuell, përmbledh fotografi të të rinjve që kanë humbur jetën dhe familjet e të cilëve besojnë se dëmi i shkaktuar nga përdorimi i rrjeteve sociale ka luajtur një rol në tragjedinë e tyre.

Mes tyre është edhe fotografia e 13-vjeçarit Breck Bednar, nga Surrey, i cili humbi jetën në vitin 2014. Prindërit e tij besojnë se ai ishte joshur në internet përmes platformave të lojërave dhe rrjeteve sociale. Një tjetër fotografi i përket Jools Sueeney, nga Gloucestershire, i cili u vetëvra në vitin 2022. Familja e tij beson se koha e kaluar në rrjetet sociale pas izolimit gjatë pandemisë COVID-19 ndikoi në tragjedinë që i mori jetën.

Gjatë një interviste për BBC-në në prill të vitit të kaluar, kur instalacioni u prezantua në Nju Jork, Meghan theksoi se siguria e fëmijëve është një çështje për të cilën duhet të ketë dakordësi në të gjithë botën.

Çifti synon të ushtrojë presion ndaj kompanive të teknologjisë për të marrë më shumë përgjegjësi dhe për të ofruar mbështetje më të madhe për familjet që kanë humbur fëmijët, për shkak të rreziqeve në internet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb