OKB-ja deklaroi të hënën se është dakord me një vlerësim të Bordit të Paqes se përgjigjja e Izraelit ndaj emergjencës së përmbytjeve në Gaza është e pamjaftueshme, duke i bërë thirrje Tel Avivit të lejojë më shumë materiale dhe pajisje strehimi në enklavë.
I pyetur nëse OKB-ja ndante kritikat e bordit për përpjekjet e Izraelit për të lehtësuar strehimin e duhur, zëvendës zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq u tha gazetarëve: “Po, sigurisht që jemi dakord”.
Ai tha se më shumë banesa të përkohshme mund të silleshin në Gaza, por se duhej leja nga autoritetet izraelite për ta zhvendosur atë nëpër postblloqe.
Shirat e dendur gjatë fundjavës përmbytën kampet e zhvendosjes dhe dëmtuan mijëra tenda. OKB-ja raportoi se 5 persona humbën jetën, përfshirë një foshnjë, tre fëmijë dhe një grua kur një dunë rëre u shemb mbi tendat e tyre. Sipas zyrës humanitare të OKB-së, më shumë se 26 mijë familje raportuan strehimore ose sende të dëmtuara ndërsa më shumë se 150 mijë tenda janë jashtë Gazës në pritje të dërgimit.
OKB-ja tha se ekipet humanitare po pompojnë ujërat e përmbytjeve, po përmirësojnë kullimin, po përforcojnë vendet e zhvendosjes me thasë rëre dhe po shpërndajnë furnizime emergjente, por nuk kanë pajisje të mjaftueshme për shkallën e krizës.
Në deklaratën e tij të hënën, Bordi i Paqes i kërkoi Izraelit të autorizojë menjëherë furnizimet e dimërimit, duke thënë se vonesat kanë përkeqësuar një emergjencë të parashikueshme humanitare. Ai i bëri thirrje grupit palestinez Hamas të çarmatoset dhe të transferojë autoritetin qeverisës sipas planit të paqes.
Haq raportoi sulme të vazhdueshme ndaj zonave të populluara në Gaza, duke shkaktuar viktima të tjera. Ai tha se personeli i OKB-së që vizitoi një vend zhvendosjeje në perëndim të të ashtuquajturës “Vija e Verdhë” në qytetin e Gazës të shtunën u detyrua të strehohej kur të shtëna armësh goditën aty pranë.
Asnjë personel i OKB-së nuk u lëndua, tha ai duke përsëritur thirrjen e organizatës për mbrojtjen e civilëve sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.


