Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur avionë ushtarakë nga baza ajrore RAF Mildenhall në Britaninë e Madhe, pas një kërcënimi të dyshuar nga Irani. Lëvizja përfshiu disa avionë furnizues me karburant në ajër, të cilët u transferuan drejt Gjermanisë dhe bazave të tjera, sipas raportimeve të Wall Street Journal.

Dy avionë furnizues me karburant u devijuan drejt Gjermanisë gjatë orëve të para të së hënës, ndërsa disa të tjerë u zhvendosën më vonë gjatë ditës. Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve të raportuara nga Sky News, nga RAF Mildenhall u larguan gjithsej nëntë avionë furnizues KC-135 dhe tre avionë Osprey.

Zyrtarët amerikanë ende po shqyrtojnë natyrën e saktë të kërcënimit dhe nuk kanë bërë të ditur nëse bëhet fjalë për një rrezik të menjëhershëm apo për masa parandaluese.

Sipas raportimeve, autoritetet amerikane kanë rritur nivelin e sigurisë në bazat RAF Mildenhall dhe RAF Lakenheath në kategorinë FPCON Charlie, niveli i dytë më i lartë i mbrojtjes në sistemin e sigurisë së Departamentit amerikan të Mbrojtjes. Ky nivel aktivizohet kur informacionet e inteligjencës tregojnë se një akt terrorist mund të jetë i mundshëm.

Ministria britanike e Mbrojtjes nuk dha detaje mbi arsyet e zhvendosjes së avionëve, duke deklaruar se nuk komenton në mënyrë rutinë aktivitetet ushtarake të vendeve të tjera dhe se avionët e asetet ushtarake lëvizin rregullisht për arsye operacionale. Edhe Forcat Ajrore amerikane nuk konfirmuan lidhjen e lëvizjeve me një kërcënim specifik, duke theksuar se avionët zhvendosen mes bazave për arsye të ndryshme.

Ky zhvillim vjen disa javë pasi SHBA-të tërhoqën bombarduesit B-1 nga baza RAF Fairford, në jugperëndim të Anglisë, pas një incidenti të dyshuar sigurie me lidhje të mundshme iraniane.

Në shtator, pesë burra britanikë u arrestuan pranë bazës, ndërsa dy të tjerë u arrestuan më vonë nën dyshimin se kishin ndihmuar inteligjencën iraniane. Hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa autoritetet britanike kanë ngritur dyshime për përfshirjen e Iranit. Teherani ka mohuar akuzat.

RAF Fairford është përdorur nga bombarduesit amerikanë për operacione ushtarake kundër Iranit. Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane kishte paralajmëruar më herët se kjo bazë dhe instalacione të tjera nga të cilat nisen sulme kundër Iranit mund të konsiderohen objektiva legjitime.

Zhvendosja e avionëve nga RAF Mildenhall vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë ende natyrën dhe seriozitetin e kërcënimit të raportuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb