Nga: Stefan Simiq [Simić]
Përkthimi: Telegrafi.com

Vuçiq nuk është “šiptar” [shiptar, emërtim fyes - shën. i përkth.], Vuçiqi është hajn.


Edhe sikur të ishte shqiptar [albanac], çfarë do të ndryshonte kjo?

Asgjë.

Megjithatë, në protesta dëgjonim vazhdimisht:

“Vuçiq, sh…!”

Në vend të:

“Vuçiq, hajn!”

Kështu nuk po e fyejmë Vuçiqin.

Po i fyejmë shqiptarët.

- Lexo po ashtu nga Stefan Simiqi: Bekim Fehmiu, shkëlqim dhe tmerr

Po e fyejmë Bekim Fehmiun dhe shumë njerëz të ndershëm me prejardhje shqiptare, të ngjashëm me të.

Dhe, vështirë se kemi pasur një aktor më të ndershëm e më të madh se Bekimi.

Ai nuk aktronte, por luante - deri në fund.

Kështu edhe jetoi.

E ndërpriste xhirimin derisa të gjithë ta merrnin honorarin - nga anëtari i parë deri tek i fundit i ekipit.

Për shkak të padrejtësisë u tërhoq para kohe me fjalët:

“Nuk mund të luaj teksa popullin po ma vrasin.”

Që në kohën e studimeve, Bata Stojkoviqi ia shau “nënën shiptare”.

Bekimi e paralajmëroi herën e parë.

Kur Bata e përsëriti, mori një nokaut.

Dhe, nuk i shkoi më kurrë ndër mend ta bënte përsëri.

Serbia edhe sot bën të njëjtin gabim.

Në vend që të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, shpallim një komb të tërë të keq dhe të ndyrë, për ta ngritur veten.

Pastaj dikush shpiku se babai i Vuçiqit është shqiptar.

Dhe, të paktë ishin ata që nuk e besuan.

I urrejmë shqiptarët.

E urrejmë Vuçiqin.

Pra - duhet të jetë e vërtetë.

Harrojmë se shqiptarë janë edhe Faruk Begoli, Enver Petrovci, futbollisti legjendar Xhevat Prekazi, i cili na la dje ...

A janë ata të këqij për shkak të prejardhjes së tyre?

Jo.

Por, në Serbi çdo budallallëk mund të shitet si e vërtetë.

Kështu lindi edhe historia se Fahri Musliu është babai i Aleksandar Vuçiqit.

Argumenti?

Ngjajnë.

Si mund të jetë Fahriu babai i tij, nëse erdhi në Beograd për studime në vitin 1972, ndërsa Vuçiqi lindi në vitin 1970?

Si mundet, nëse nënën e Vuçiqit, mes qindra kolegeve dhe gazetareve, e takoi për herë të parë vetëm në vitin 1985, kur Vuçiqi veçse ishte pesëmbëdhjetë vjeç?

Fahriu shkroi një libër voluminoz për Bekim Fehmiun.

Ishte një nga frymëzuesit e filmit për jetën e tij.

Në libër përfshiu edhe disa nga tekstet e mia për Bekimin.

Direkt e pyeta për lidhjen e supozuar farefisnore me atë fatkeq.

U turpërua dhe më tha se ky trillim nuk po shkatërron vetëm jetën e tij, por edhe jetën e familjes së tij.

Një njeriu të tillë, fjalë për fjalë, i vihet shënjestra në ballë.

Dhe, nëse ka dikush që nuk ka kurrfarë lidhjeje me politikën e Vuçiqit, ai është Fahriu.

Jugosllav.

Paqebërës.

E kundërta e plotë e gjithçkaje që Vuçiqi përfaqëson që nga vitet nëntëdhjetë.

Çfarë lidhjeje ka ai me njeriun që bënte thirrje për njëqind myslimanë për një serb?

Fahriu i përket një historie krejt tjetër.

Ai është kritik edhe ndaj politikës kosovare.

Sepse kombësia e dikujt nuk dëshmon asgjë.

As mirësinë.

As të keqen.

As ndershmërinë.

As hajdutërinë.

Prandaj, të mos turpërohemi.

Nëse duam të dallojmë nga tabloidët dhe turma që beson gjithçka që lexon, të mos i përfshijmë më njerëzit e pafajshëm në histori që nuk kanë lidhje me tru.

Të jemi seriozë.

Me forcën e argumenteve të ofrojmë diçka më të mirë se thashethemet e kafeneve dhe fyerjet nacionaliste.

Është e pakuptimtë të shpjegohen të gjitha këto.

Por, për hir të shëndetit mendor të shoqërisë, ndonjëherë duhet.

Shqiptar nuk është fyerje.

Hajn po. /Telegrafi/