Nga Elton Qyno - Syri.net/
Ka marrë një tjetër rrjedhë ngjarja e rëndë e vrasjes së 62-vjeçarit, Urim Fikut, në fshatin Godfi të Bulqizës.
Detaje të reja janë zbuluar nga gazetari Elton Qyno, i cili ka mësuar se gjatë kontrollit të mëngjesit të sotën është gjetur një armë zjarri kallashnikov me disa plumba karikatori.
Arma automatike është gjendur e fshehur në kasollen e banesës, dhe në folenë e fishekut kishte një plumb.
Rikontrolli për armë është bërë pasi rreth banesës së viktimës, policia një ditë më parë kishte gjetur 3 gëzhoja automatiku, duke çuar në dyshimin se në vendin e krimit veç pistoletës ishte përdorur dhe një armë automatike.
Gëzhojat tashmë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe pritet që në ditët në vijim t’i nënshtrohen një ekspertize krahasuese balistike me armën tip pistoletë dhe kallashnikovin e sekuestruar.
Gjetja e këtyre gëzhojave në distanca të ndryshme nga njëra-tjetra ka ngritur dyshime të forta se Urim Fiku është ndjekur me vrap nga autori i krimit, i cili ka qëlluar me intensitet drejt Fikut, derisa ai është prekur nga një plumb pas shpine dhe është rrëzuar në tokë.
Autori i krimit më pas dyshohet se e ka qëlluar Fikun me një sëpatë në kokë, duke i dëmtuar rëndë pjesën e kafkës.
Policia dhe prokuroria kanë kërkuar informacion nga mjekësia ligjore për të përcaktuar nëse vdekja e Urim Fikut ka ardhur nga dëmtimi i rëndë i trurit përmes goditjes me sëpatë apo si pasojë e goditjes me një plumb të shkaktuar nga arma e zjarrit.
Hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe një person i tretë, që dyshohet se banon aty pranë, për të cilin po punohet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e tij.
Për këtë ngjarje të rëndë policia ka arrestuar djalin dhe gruan e viktimës, Sadete dhe Gazmir Fiku, të cilët janë lënë në masën e "Arrestit në burg".
© SYRI.net
Shkodër, 34-vjeçari humb jetën pasi e zuri korrenti gjatë riparimit të një shtylle elektrike
Grabitësi i bankave me skuter/ Albert Duka: Lekët i lashë në kazino, 6 mijë € shlyeva borxhet në Vlorë
Gjurmime të krimit në Shqipëri dhe vende të huaja, ja çfarë kishin 9 diagramat e SHISH që u gjendën te Ergys Agasi