E martë, 10 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Koncesioni 100 milionë euro i laboratorëve, SPAK fut në hetim burrin e Manastirliut
Lajme

Koncesioni 100 milionë euro i laboratorëve, SPAK fut në hetim burrin e Manastirliut

Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet mbi koncesionin e laboratorëve mjekësorë, një kontratë me vlerë rreth 100 milionë euro, duke verifikuar edhe rolin e bashkëshortit të ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut.

Pak javë më parë, hetuesit e SPAK ushtruan kontroll personal ndaj bashkëshortit të ish-ministres, gjatë të cilit i sekuestruan edhe telefonin celular. Sipas informacioneve të bëra publike, ky veprim hetimor lidhet me dyshimet se ai mund të disponojë të dhëna që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të dhënies dhe funksionimit të koncesionit të laboratorëve.

Pajisja telefonike është dërguar për ekspertim në laborator, ku pritet t’i nënshtrohet analizimit të komunikimeve dhe të dhënave të tjera që mund të përmbajë. Rezultatet do të shqyrtohen në raport me provat e mbledhura gjatë hetimit, me qëllim verifikimin e kontakteve dhe të rolit që mund të ketë pasur bashkëshorti i Manastirliut në këtë kontratë.

Kontrolli është kryer në kuadër të një serie veprimesh hetimore të SPAK, ku më herët, me urdhër të prokurores Dorina Bejko, janë zhvilluar dhjetëra kontrolle. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë marrëdhëniet mes personave dhe subjekteve të përfshira në këtë koncesion, si dhe të verifikojnë nëse ka pasur ndërhyrje apo përfitime të parregullta.

Koncesioni i laboratorëve, kontratë 100 milionë euro

Kontrata e laboratorëve është një prej koncesioneve më të mëdha në sektorin e shëndetësisë. Ajo u miratua në formën e një partneriteti publik-privat, me një vlerë të përgjithshme rreth 100 milionë euro, ndërsa fituesi u shpall në prill të vitit 2017.

Koncesioni iu dha një konsorciumi të përbërë nga tri kompani, me ndarje të përcaktuar të aksioneve:

  • Labopharma sh.p.k. zotëron 41.7% të pjesëmarrjes në koncesion dhe është nën shoqërinë mëmë T-MEDSS.

  • AB Laboratory Solution B.V. zotëron 33.3% të aksioneve. Kompania është e regjistruar në Holandë dhe lidhet me shoqërinë Pegasus sh.p.k., të biznesmenit Janis Karathano.

  • Exalab France zotëron 25% të koncesionit.

Pikërisht struktura e kompanive dhe lidhjet mes subjekteve që përfituan kontratën janë pjesë e interesit të hetuesve. Në kuadër të verifikimeve janë ngritur edhe dyshime për rolin e biznesmenit Klodian Allajbeu, i lidhur me Spitalin Amerikan, në këtë koncesion.

Kontrata, e cila ka qenë prej vitesh objekt debatesh për kostot dhe mënyrën e funksionimit, tashmë po kalon në një fazë më të thelluar verifikimesh nga SPAK.

Sekuestrimi i telefonit të bashkëshortit të Manastirliut përbën një tjetër zhvillim në këtë hetim, ndërsa ekspertiza e pajisjes mund të ndihmojë në sqarimin e komunikimeve dhe marrëdhënieve që lidhen me koncesionin. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka një përfundim zyrtar që provon përfshirjen e tij në veprimtari të paligjshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.