Faisal Islam: Ç'më tha drejtuesi i gjigantit amerikan Nvidia për Kinën dhe sigurinë kombëtare

Faisal Islam: Ç'më tha drejtuesi i gjigantit amerikan Nvidia për Kinën dhe sigurinë kombëtare

11:24, 10/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Jensen Huang ka shumë ngjashmëri me Steve Jobs-in e ndjerë. Kam pasur rastin t’i intervistoj të dy dhe ajo që bie në sy është karizma që përcjellin kur i takon nga afër, por edhe ai lloj gjenialiteti që ndonjëherë shfaqet në mënyrë të pazakontë.

Të dy kishin krijuar një stil të tyrin, të lidhur me veshjet e zeza. Por, ndryshe nga themeluesi i Apple, që njihej për bluzat e zeza me jakë të lartë, Huang preferon xhaketat prej lëkure.

Të dy janë figura të vlerësuara në botën e teknologjisë dhe njihen si novatorë të mëdhenj. Por sot, Huang është përfshirë në një çështje krejt tjetër: ai po hetohet për lidhje të dyshuara me një spiune kineze.

Pavarësisht nëse lajmet për inteligjencën artificiale flasin për përparime të jashtëzakonshme apo për rreziqe që mund të sjellin pasoja katastrofike, gjithçka lidhet me zhvillimin e modeleve gjithnjë e më të fuqishme të IA-së.

Këto modele kanë nevojë për mikroprocesorë shumë të avancuar. Dhe prej vitesh, kompania që qëndron në krye të kësaj industrie është Nvidia, e drejtuar nga Jensen Huang. Teknologjia e saj e ka origjinën te kartat grafike të videolojërave, ndërsa prodhimi mbështetet kryesisht te kapacitetet e Tajvanit.

Gracehopper, Vera dhe Rubin janë emra që publikut të gjerë mund të mos i thonë asgjë. Por pas tyre fshihen mikroprocesorë të fuqishëm, që përdoren për të krijuar modelet e inteligjencës artificiale që po ndryshojnë botën.

U takova me Huangun në shtator të vitit të kaluar, gjatë vizitës shtetërore të presidentit amerikan Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar. Ai po bisedonte me gazetarët dhe shprehu bindjen se Britania kishte një të ardhme premtuese në teknologji.

Në atë kohë, Huang po përpiqej të bindte Trump-in të hiqte ndalimin e eksporteve drejt Kinës për disa prej mikroprocesorëve më të fuqishëm të IA-së, veçanërisht modelin H200.

Kufizimet për eksportin e një modeli më pak të fuqishëm ishin hequr tashmë. I thashë Huangut se ai ishte ndër të paktët njerëz që mund të takohej me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë dhe, vetëm pak ditë më vonë, me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.

Ai foli hapur për qëndrimin e tij dhe nuk e fshehu bindjen se kishte arritur ta bindte Trump-in.

"Presidenti Trump e ka shumë të qartë se dëshiron që Amerika të fitojë, ndërsa presidenti Xi dëshiron që Kina të fitojë. Por të dy mund t'ia dalin. Arsyeja është se kjo nuk është një garë ku fitorja e njërit do të thotë humbja e tjetrit. Përparimi i shoqërisë njerëzore nuk funksionon kështu."

Nuk është e lehtë të gjesh dikë tjetër që mund të flasë me kaq siguri për qëndrimet e dy liderëve të superfuqive më të mëdha në botë. Huang është ndër të paktët që ka pasur mundësinë t'i takojë të dy nga afër.

Qëndrime të kundërta për rreziqet e sigurisë

Por ky këndvështrim i Huangut, sipas të cilit nuk bëhet fjalë për një garë ku njëra palë fiton dhe tjetra humbet, nuk ndahet nga shumë ekspertë të sigurisë kombëtare.

Sipas tyre, gara për zhvillimin e teknologjisë më të përparuar të inteligjencës artificiale është një betejë ku fitorja e njërës palë mund të përcaktojë gjithçka. Prandaj, Perëndimi dhe veçanërisht SHBA-ja duhet të ndërmarrin masa për të frenuar përparimin e Kinës.

Vendi që do të zotërojë sistemet më të fuqishme të IA-së dhe mikroprocesorët më të avancuar do të ketë epërsi në kërkimin shkencor, në aftësinë për të thyer sistemet e enkriptimit, në rritjen ekonomike dhe në zhvillimin e armëve kibernetike.

Huang kishte edhe një argument tjetër. Sipas tij, interesi i SHBA-së nuk cenohet nëse Kina dhe pjesa tjetër e botës përdorin teknologjinë amerikane. Përkundrazi, kjo do të ishte një avantazh për Uashingtonin, pasi do ta bënte botën të varur nga sistemet e tij. Bëhet fjalë për atë që njihet si "ekosistemi teknologjik amerikan", në qendër të të cilit janë mikroprocesorët e Nvidia-s.

Huang shkoi edhe më tej, duke thënë se presidenti Trump e kupton mirë se "kjo teknologji kompjuterike nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare".

"Çdo ushtri është mjaftueshëm e zgjuar për ta ndërtuar fuqinë e saj ushtarake mbi teknologjinë vendase dhe nuk do të mbështetej te një kundërshtar për të zhvilluar teknologjinë dhe kapacitetet e veta ushtarake", më tha ai.

Çfarë tregojnë këto deklarata?

Në atë kohë, ndërsa përpiqej të bindte publikisht administratën amerikane të hiqte kufizimet për eksportet drejt Kinës, Huang shprehte hapur edhe bindjen se njihte qëndrimin e Trump-it për këtë çështje. Sot, pikërisht ajo periudhë po shqyrtohet në një hetim të pavarur, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kombëtare dhe dyshimeve për spiunazh kinez.

Por qëndrimi i tij ishte edhe më i qartë: Huang nuk e konsideronte teknologjinë e Nvidias, edhe nëse përfundonte në duart e Kinës, si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Nvidia është sot në qendër të bumit të inteligjencës artificiale në SHBA dhe të garës globale për dominimin e kësaj teknologjie.

Edhe nëse bumi i IA-së do të merrte fund, Nvidiado të mbetej një kompani shumë e fuqishme financiarisht.

Vetëm këtë vit, të ardhurat e saj pritet të arrijnë rreth 400 miliardë dollarë. Rënia me rreth 4% e vlerës së aksioneve të hënën tregon se kompania po përballet me rreziqe të reja, në një moment kur teknologjia dhe politika ndërkombëtare po ndërthuren gjithnjë e më shumë. Megjithatë, vlera e saj në treg mbetet mbi 4 trilionë dollarë. /BBC – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco