Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku do të zhvillohet seanca gjyqësore në lidhje me dosjen SASPAC.

Beqaj ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi më 31 korrik 2026, GJKKO vendosi t’i zëvendësojë masën e mëparshme të sigurisë, duke e liruar nga burgu.

Ish-ministri u arrestua më 4 korrik 2024, në kuadër të hetimeve për abuzimet e dyshuara me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), institucion që koordinonte fondet e Bashkimit Europian.

Në përfundim të hetimeve, SPAK i komunikoi Beqajt katër akuza: përfshirje në korrupsion gjatë drejtimit të agjencisë, mosdeklarim të pasurisë, mashtrim me pasoja të rënda dhe shkelje të barazisë në tendera.

Ndërkohë, ish-ministri është marrë i pandehur edhe në një tjetër dosje të bujshme të SPAK, atë të koncesionit të sterilizimit. Në këtë çështje, ai dyshohet se, në bashkëpunim me ish-vartësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, dhe biznesmenin Ilir Rapaj, ka konsumuar veprën penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb