Jumbo: 15 vite në Shqipëri, konsolidim dhe rritje në disa tregje

Ani Xhetani- CEO Jumbo Western Balkans & Moldova
Si do ta vlerësonit ecurinë e Jumbo-s gjatë vitit 2025?
Viti 2025 ka qenë një vit shumë pozitiv për Jumbo, me një rritje prej 9% të shitjeve. Mbi të gjitha, ishte një vit konsolidimi dhe përgatitjeje për fazën e ardhshme të zhvillimit. Fokusi ynë ishte tek stafi dhe eksperienca e klientit, krahas zhvillimit të kanalit online dhe rritjes së eficiencës operacionale. Sot jemi në një moment të rëndësishëm: këtë vit festojmë 15-vjetorin e Jumbo-s në Shqipëri, ku operojmë me 10 dyqane dhe mbi 300 punonjës. Pas këtyre shifrave qëndron besimi i mijëra familjeve, të cilin duhet ta justifikojmë çdo ditë.
Çfarë ju ka mësuar eksperienca në drejtimin e Jumbo-s dhe cilat kanë qenë prioritetet tuaja?
Retail-i na ka mësuar se një strategji e mirë ka vlerë vetëm kur zbatohet mirë në çdo kontakt me klientin. Një nga prioritetet tona ka qenë të ndërtojmë një kompani që rritet në mënyrë të qëndrueshme, duke ruajtur energjinë, afërsinë dhe eksperiencën pozitive që karakterizon Jumbo-n. Për këtë, besojmë se janë të rëndësishme përgjegjshmëria, bashkëpunimi dhe një ekip që bën diferencën në çdo detaj.
Sa sfiduese është gjetja dhe mbajtja e punonjësve?
Është një nga sfidat kryesore të industrisë sonë. Paga duhet të jetë e drejtë dhe konkurruese, por nuk është faktori i vetëm që ndikon në vendimin për të qëndruar. Po aq e rëndësishme është mundësia për të parë një perspektivë afatgjatë dhe për të ndërtuar një karrierë brenda kompanisë. Në Jumbo kemi kolegë që kanë nisur shumë të rinj, në pozicione fillestare dhe sot drejtojnë Jumbo-n në qytetin apo shtetin e tyre. Të qenit pjesë e një rrjeti që operon në disa shtete krijon gjithashtu mundësi për të fituar eksperienca të reja dhe për t’u zhvilluar përtej një roli apo tregu të vetëm. Për këtë arsye, investojmë te trajnimi, promovimi nga brenda dhe krijimi i mundësive reale për rritje profesionale. Besojmë se një kompani nuk mund t’u ofrojë klientëve një eksperiencë të mirë, nëse fillimisht nuk krijon një mjedis ku punonjësit shohin mundësi për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre profesionale.
Si ka ndryshuar konsumatori dhe si ka ndikuar turizmi?
Konsumatori është më i informuar, më kërkues dhe ka pritshmëri më të larta për eksperiencën e blerjes. Ai kërkon çmime të përballueshme, shumëllojshmëri dhe shërbim të shpejtë. Gjatë vitit 2025 kemi pasur 11% më shumë klientë, ndërsa rritja e numrit të vizitorëve të huaj ka ndikuar gjithashtu në dinamikën dhe sezonalitetin e kërkesës. Megjithatë, familja vendase mbetet në zemër të biznesit tonë dhe të çdo vendimmarrjeje që marrim.
A është e ardhmja e retail-it online apo në dyqan?
Gjatë vitit 2025, porositë online u rritën me 30% krahasuar me një vit më parë, një tregues pozitiv i mënyrës se si po evoluojnë zakonet e blerjes së klientëve tanë. Megjithatë, klienti nuk mendon domosdoshmërisht për kanalin ku blen; ai pret ta gjejë produktin dhe të shërbehet mirë, pavarësisht mënyrës se si zgjedh të blejë. Dyqani fizik mbetet i rëndësishëm për eksperiencën dhe kontaktin me produktin, ndërsa blerja online sjell shpejtësi dhe komoditet. Prandaj, e ardhmja është te ndërthurja e të dyjave. Për ne, “omnichannel” nuk është thjesht teknologji, por krijimi i një eksperience sa më të integruar dhe të thjeshtë për klientin.
Si po ecën Jumbo në rajon gjatë vitit 2026 dhe çfarë zhvillimesh të reja prisni?
Në nivel rajonal jemi rritur me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke vijuar një ecuri pozitive të biznesit. Këtë vit, një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është hyrja në një treg të ri, me hapjen e dyqanit të parë Jumbo në Moldavi.
Nga ana tjetër, pas eksperiencës shumë të mirë të deritanishme, BALFIN Group ka nënshkruar marrëveshjen për zgjerimin e Jumbo-s edhe në gjashtë vende të tjera. Ky është një rikonfirmim i besimit të partnerëve tanë, por edhe një vlerësim i eksperiencës dhe forcës operacionale që kemi ndërtuar ndër vite. Eksperienca në tregje të ndryshme na ka mësuar se secili prej tyre ka specifikat e veta, por pritshmëritë e klientëve mbeten të ngjashme: vlerë, shumëllojshmëri dhe besueshmëri. Për ne, zgjerimi nuk është vetëm çështje e pranisë në më shumë tregje, por e ndërtimit të një rritjeje të qëndrueshme, të mbështetur në eksperiencën e krijuar dhe të përshtatur me realitetin e çdo tregu ku operojmë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









