Një influencer amerikan i peshkimit është përballur me masa të rrepta nga drejtësia, pasi akuzohet se ka kapur një peshkaqen të bardhë, specie e mbrojtur, në brigjet e Cape Cod, në Massachusetts.

Christopher Stefanou, i njohur në rrjetet sociale me emrin LISHARKMAN, u paraqit më 21 tetor në gjykatën e Barnstable, ku iu caktua një garanci prej 10 mijë dollarësh. Gjyqtari vendosi gjithashtu t’i ndalojë hyrjen në shtetin e Massachusetts gjatë procesit gjyqësor.

Stefanou dyshohet se kishte marrë me vete një klient nga Evropa për një udhëtim disa ditor peshkimi. Gjatë aktivitetit, ata arritën të kapnin një peshkaqen të bardhë rreth 2.9 metra të gjatë, të njohur me emrin “Aaron”.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin grupin duke fotografuar veten pranë kafshës, përpara se ta lëshonin sërish në det. Influenceri përballet me disa akuza, mes tyre keqtrajtim të kafshëve, peshkim të paligjshëm dhe kapje të një specieje të mbrojtur. Gjykata i ka kërkuar gjithashtu të dorëzojë licencën e peshkimit, të fshijë pamjet e publikuara dhe të mos ngarkojë video të reja.

Avokati i tij deklaroi se Stefanou mohon akuzat dhe do të mbrojë pafajësinë në gjykatë. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me burgim deri në shtatë vjet për akuzën e keqtrajtimit të kafshëve. Seanca e radhës është caktuar më 11 dhjetor. Ndërkohë, të dhënat e monitorimit tregojnë se peshkaqeni “Aaron” është regjistruar mbi 5 mijë herë në ujërat e Massachusetts.