Shembet ura hekurudhore në Rusi, dalin nga shinat vagonët e trenit të mallrave, pezullohet qarkullimi

Një urë hekurudhore është shembur mëngjesin e së martës, 10 nëntor, në rajonin e Arkhangelskut në Rusi, duke shkaktuar daljen nga shinat të disa vagonëve të një treni mallrash dhe ndërprerjen e qarkullimit hekurudhor në këtë zonë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 05:10, kur një pjesë e urës mbi lumin Viled u shemb në segmentin hekurudhor mes Cheriomukha dhe Viled. Guvernatori i rajonit, Aleksandr Tsybulsky, bëri të ditur se si pasojë e shembjes disa vagonë të trenit të mallrave dolën nga shinat. Sipas informacioneve paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar.
Për shkak të incidentit, qarkullimi i trenave në këtë segment është ndërprerë, duke shkaktuar vonesa për të paktën tetë trena pasagjerësh. Në vendngjarje janë dërguar ekipe të specializuara dhe trena ndërhyrjeje për të nisur punën për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e qarkullimit.
Ndërkohë, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e transportimit me autobusë të pasagjerëve të bllokuar si pasojë e ndërprerjes së linjës hekurudhore. Paralelisht, ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e shembjes, pasi ende nuk dihet nëse ajo ka ardhur si pasojë e një problemi strukturor, defekti në infrastrukturë apo faktorëve të tjerë.
/vizionplus.tv




