Lufta kundër kanabisit mbetet prej prioriteteve të Policisë së Shtetit gjatë vitit 2026 duke shënjestruar fuqizimin e krimit të organizuar dhe shitjen e drogës në shkolla.

Kryepolici Skënder Hita u shpreh gjatë konferencës së përbashkët me Guardia di Finanza se vitin e ardhshëm kjo forcë parandaluese do të rritet.

“Për vitin 2027 do të përqendrojmë të gjithë angazhimin tonë në rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura, identifikimin e rrjeteve që importojnë fara narkotike, si dhe identifikimin dhe ndalimin e organizatorëve, financuesve dhe përfituesve të vërtetë të kësaj veprimtarie kriminale”, tha Hita.

Policia shqiptare ka evidentuar 132 mijë fidanë narkotikë gjatë këtij viti. 84 dronë janë angazhuar për të monitoruar territorin si dhe janë zhvilluar 62 misione fluturimi. 165 autorë janë arrestuar e hetuar. 89 kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE dhe shërbimit pyjor janë nën hetim. Këtë vit janë zbuluar 17 shtëpi bari.

“Po përmend vetëm një tregues domethënës të këtij angazhimi parandalues, gjatë këtij viti janë evidentuar dhe goditur në tentativë për t'u kultivuar në tokë, 132 000 fidanë kanabisi, krahasuar me 17 447 fidanë gjatë vitit të kaluar”, tha Hita.

Lidhur me shitjen e drogës në shkolla, janë finalizuar 31 operacione.

“Fokusin dhe vëmendjen prioritare gjatë dy muajve të fundit të këtij viti dhe përgjatë vitit të ardhshëm do ta kenë parandalimi dhe goditja në kohë e çdo tentative për të përfshirë të miturit dhe të rinjtë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe për të depërtuar me paligjshmëri në mjediset shkollore”, tha Hita.

Lajm në përditësim...