
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, deklaroi se objektivi nuk është vetëm zbulimi i parcelave me drogë, por shkatërrimi i gjithë strukturës kriminale që qëndron pas këtij aktiviteti.
Në një konferencë të përbashkët me përfaqësues të Guardia di Finanza-s italiane, Hita bëri të ditur se gjatë vitit 2026 janë zhvilluar 31 operacione, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksioneve për goditjen e grupeve kriminale.
Sipas Hitës, një shqetësim i veçantë, sipas tij mbetet përfshirja e të miturve në veprimtaritë e paligjshme.
“Lufta kundër kanabisit duhet të vijojë deri në goditjen e të gjithë zinxhirit të shpërndarjes, me qëllim që droga të mos përfundojë në duart e të rinjve.
Fokusi ynë gjatë dy muajve të fundit të këtij viti dhe përgjatë vitit të ardhshëm do të jetë te parandalimi i përfshirjes së të miturve në këtë veprimtari kriminale.
Organizata që drejtoj do të thellojë rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit, duke goditur me forcën e ligjit çdo hallkë të kësaj veprimtarie kriminale, nga financimi dhe kultivimi deri te shitja dhe trafikimi.
I garantoj qytetarët dhe partnerët tanë se Policia, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, është maksimalisht e angazhuar për të luftuar krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti”, deklaroi Hita.