Konflikt dhe kërcënime për pronën në Sarandë, ‘Tasha e Tik Tok-ut’ zapton dy katet
Një konflikt për një pronë në rrugën Onhezmi, në lagjen nr. 1 të Sarandës, ka degjeneruar në përplasje të forta mes palëve, ndërsa në këtë histori është përfshirë edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa. Pamjet filmike të mbërritura në redaksinë e Publik.al dokumentojnë tensionet në ambientet e objektit, ndërsa pronari Alqi Paguni ngre pretendime për mbajtjen e padrejtë të pronës dhe mospërmbushjen e detyrimeve të qirasë.

Në qendër të konfliktit është Natasha Rombola, e njohur në rrjetet sociale si “Tasha”, dhe vajza e saj, Brunilda Brinja. Sipas informacionit të përcjellë në redaksi, Brunilda është personi që ia ka dhënë me qira ambientin nënës së saj, ndërsa pronari pretendon se marrëdhënia e krijuar ka përfunduar në një konflikt të zgjatur për përdorimin dhe dorëzimin e pronës.
Alqi Paguni pretendon se ambientet po mbahen në përdorim pa respektuar kushtet e marrëveshjes dhe se situata është përkeqësuar për shkak të mospagimit të qirasë dhe detyrimeve të tjera financiare. Ai ngre gjithashtu pretendimin se në përdorim janë mbajtur edhe hapësira të tjera të objektit, përtej sipërfaqes së përcaktuar në marrëdhënien kontraktore.
Përplasja nuk lidhet vetëm me posedimin e ambienteve. Sipas pronarit, një tjetër problem serioz janë detyrimet për furnizimin me ujë dhe energji elektrike, të cilat pretendohet se kanë mbetur të papaguara, ndërsa kontratat e shërbimeve kanë qenë të lidhura në emrin e tij.
Përplasjet me punonjësit e institucioneve
Në denoncimin e përcjellë në redaksi pretendohet se punonjësit e OSHEE-së dhe të Ujësjellës-Kanalizimeve kanë hasur pengesa për të hyrë në objekt dhe për të kryer verifikimet përkatëse, përfshirë leximin e matësve të konsumit.
Pronari pretendon se situata është shoqëruar edhe me kërcënime ndaj punonjësve. Në materialet e përcjella për redaksinë përmenden shprehjet: “Do të të hedh nga shkallët” dhe “S’ke shans të hysh”.
Pamjet filmike tregojnë momente tensioni dhe përplasjeje mes personave të pranishëm në ambientet e objektit. Ato hedhin dritë mbi shkallën e konfliktit, por rrethanat dhe përgjegjësitë e secilës palë kërkojnë verifikim të plotë.
Ina Zhupa në vendngjarje
Një element që i ka dhënë konfliktit edhe dimension politik është prania e deputetes së PD-së, Ina Zhupa, në ambientet ku po zhvillohej përplasja.
Prania e saj është dokumentuar në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyen e përfshirjes së një përfaqësueseje politike në një konflikt që, në thelb, lidhet me një marrëdhënie pronësie dhe qiraje mes individësh.
Megjithatë, vetëm prania e deputetes në vendngjarje nuk provon se ajo ka mbështetur pretendimet e njërës palë apo se ka ndërhyrë në konflikt në një mënyrë të caktuar. Për këtë arsye, mbetet i rëndësishëm një sqarim publik nga vetë Ina Zhupa mbi arsyen e pranisë së saj dhe qëndrimin që mban lidhur me këtë çështje.
Nga ana tjetër, Alqi Paguni pretendon se i është drejtuar edhe Policisë për të kërkuar zgjidhjen e situatës dhe rikthimin e pronës në posedimin e tij.
Konflikti në rrugën Onhezmi tashmë ka dalë përtej një mosmarrëveshjeje të zakonshme mes palëve, duke përfshirë pretendime për mospagim qiraje, detyrime të prapambetura, pengim të punonjësve të shërbimeve publike dhe përplasje të dokumentuara me kamera.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



