U ndal në momentin kur ishte numri 1 në botën e tenisit, por pas gati 4 muajsh Yannik Sinner është rikthyer të flasë për mediat në një aktivitet të organizuar nga Allianz në Milano. Tenisti italian, i cili tani për shkak dëmtimi ka zbritur në numrin 2 të botës, iu përgjigj pyetjeve për gjendjen fizike, periudhën e vështirë jashtë fushave, ndryshimet në ekipin e tij dhe objektivat për rikthimin në tenis. Numri dy në botë pranoi se i mungon shumë konkurrimi, por në këtë moment nuk dëshiron të marrë asnjë rrezik me shëndetin.
“Nuk kanë qenë muaj të lehtë, sepse më mungon konkurrimi, më mungon të zbres në fushë dhe të jap 100 për qind. Më mungon tenisi,”- u shpreh fillimisht Sinner.
Ai theksoi se po punon çdo ditë për të qenë sa më shpejt gati, por prioriteti është të rikthehet në gjendjen e duhur fizike.
“Në këtë moment është shumë e rëndësishme të kujdesem për trupin tim, sepse dua të luaj edhe 10-15 vite të tjera. Kam mjekët më të mirë pranë vetes dhe po ndjek programin që më kanë përcaktuar. Duhet ta pranoj këtë proces për t'u kthyer më i fortë se më pare,”- shtoi italiani.
Sinner zbuloi gjithashtu se planet fillestare për rikthimin ishin më optimiste, por më pas u vendos të ndiqej një tjetër rrugë, për të mbrojtur karrierën në planin afatgjatë.
“Në fillim kishim menduar një objektiv të pamundur për rikthimin, ndaj vendosëm të ndiqnim një rrugë tjetër. Unë jam tenist, nuk jam mjek, kështu që e vetmja mundësi është të kem besim te specialistët. Kam bërë gjithçka që ishte e nevojshme për të mbrojtur karrierën time,”- deklaroi ai.
Për momentin, rutina e tij përfshin punën në palestër dhe respektimin e protokolleve të rikuperimit.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte ndarja me trajnerin Darren Cahill, me të cilin Sinner ka bashkëpunuar për pesë vite të suksesshme. Në ekip do të vijë Magnus Norman, ndërsa italiani kërkon të ruajë vazhdimësinë dhe të mos ndryshojë gjithçka nga e para.
“Norman është një person shumë i ngjashëm me Darrenin. Ai e pranon mënyrën se si kemi punuar deri tani dhe kjo është e rëndësishme për mua. Pjesa që do të më mungojë më shumë nga Darren është ajo personale. Ai është bërë si një baba i dytë për mua dhe në momentet e vështira e telefonoja gjithmonë,”-tha Sinner, duke shtuar se Cahill do të mbetet gjithmonë një person i rëndësishëm në jetën e tij.
Sa i përket rikthimit në fushë, objektivi kryesor është Australia, ku shpreson të luajë në Australian Open 2027, ndoshta pas disa turneve përgatitorë.
“Objektivi është të shkoj në Australi. Shpresoj të jem atje dhe të luaj ndoshta edhe disa turne përpara. Në këtë moment duhet të respektoj protokollet dhe të mos nxitoj. Po punoj çdo ditë drejt këtij objektivi,”- theksoi italiani.
Në fund, Sinner foli edhe për pasionin e tij për motorsportin dhe Kimi Antonellin, duke vlerësuar punën e pilotit të ri italian: “Është një talent, por pa punë nuk arrin askund. Ai ka punuar jashtëzakonisht shumë”. Me humor, Sinner shtoi se një ditë mund ta shohim edhe vetë në një makinë garash.







Komente
Komento