Një 36-vjeçar, i konsideruar si figura kryesore e një bande shqiptare të trafikut të drogës, është dënuar në mungesë me pesë vite burg efektiv për trafikimin e kokainës. D.T. dhe bashkëpunëtorët e tij përdornin një apartament në qendër të qytetit të Bryzhit, në Belgjikë, si bazë për aktivitetin e tyre kriminal.
Nga Mathias Mariën, HLN
Çështja nisi të zbardhej më 1 tetor 2022, kur policia lokale e Bryzhit ishte dëshmitare e një shkëmbimi droge në rrugën Smedenstraat. Nga kontrolli i telefonit celular të një përdoruesi kokaine rezultoi se ai ishte klient i rregullt i një bande shqiptare. Në zonën përgjatë mureve historike të qytetit të Bryzhit, në fillim të vitit 2023, anëtarët e grupit dyshohet se shpërndanin drogën me biçikleta te 167 klientë.
Hetimet zbuluan se D.T. kishte nisur aktivitetin kriminal në vitin 2018 si shpërndarës në rrugë, por më vonë ishte shndërruar në drejtuesin e organizatës kriminale. Kur ai ndodhej në Shqipëri, rolin e tij si koordinator i shpërndarjes e merrte përsipër E.S., 30 vjeç.
Më 3 prill 2023, A.H., 34 vjeç, u kap nga policia me dy doza kokaine. Gjatë një kontrolli në një apartament në rrugën Dweersstraat, hetuesit zbuluan më pas 214 gramë kokainë dhe 13.500 euro para të gatshme.
Banda shqiptare e kishte marrë apartamentin me qira për 1.200 euro në muaj nga K.V., 55 vjeç. Një pjesë të të ardhurave nga qiraja, ai dyshohet se ia kalonte nipit të tij, R.V., 32 vjeç, i cili banonte në të njëjtën ndërtesë.
Të dy banorët e Bruges e dinin se qiramarrësit merreshin me trafik droge, pasi ishin vetë klientë të bandës.
Gjykata dënoi T. dhe S. përkatësisht me pesë dhe katër vite burg efektiv. H. dhe një tjetër shpërndarës, që kryente detyra ndihmëse për grupin, u dënuan me nga dy vite burg.
Të pandehurit nga Bryzhi ishin të vetmit që u paraqitën në gjykatë. Mbrojtja e tyre theksoi se ata nuk kishin luajtur asnjë rol në trafikun e drogës.
Në përfundim, gjykata dënoi K.V. me nëntë muaj burg me kusht, ndërsa nipin e tij me 180 orë punë në shërbim të komunitetit.
© SYRI.net
‘Të gjithë ne’, ‘hallin tënd’ dhe ‘do t’ia hedhim’…/ Biseda të denja për ‘grup i strukturuar kriminal’: Zbardhen mesazhet e shefes së SHISH me...
Ishte në kërkim ndërkombëtar/ Vrasësi shqiptar arrestohet gjatë një kontrolli rutinë në kufi
VIDEO/ Dyshohet se e dhunuan bashkë me të atin, i riu në Dukat futet në lokal me hanxhar në dorë për të marrë hak