Të paktën 66 ushtarë janë dënuar me vdekje në Republikën Demokratike të Kongos, nën akuzat për frikacakëri, rebelim dhe mosbindje ndaj urdhrave, raportojnë mediat lokale.

Vendimi u mor pas një gjyqi ndaj 71 ushtarëve në një gjykatë ushtarake në Walikale, në provincën e Kivusë së Veriut, në lindje të vendit. Katër ushtarë u shpallën të pafajshëm, ndërsa një tjetër u dënua me 10 vite burg.

Sipas ushtrisë, gjyqi kishte për qëllim forcimin e disiplinës mes trupave që po luftojnë kundër grupeve të armatosura në lindje të Kongos.

Ushtarët raportohet se u arrestuan më 20 tetor në Walikale, pasi u akuzuan se kishin braktisur pozicionet dhe ishin larguar gjatë përleshjeve me luftëtarët e Frontit për Rithemelimin e Kombit (FRN), një koalicion rebel ku bën pjesë edhe grupi M23.

Lindja e Kongos është përfshirë prej dekadash nga konfliktet e armatosura, ndërsa luftimet mes forcave qeveritare dhe rebelëve vazhdojnë. Operacionet e ushtrisë kongoleze kundër grupeve të armatosura, përfshirë M23, janë penguar prej kohësh nga mungesa e disiplinës dhe organizimi i dobët. Ushtria është kritikuar vazhdimisht për mungesë profesionalizmi, ndërsa vetë ushtarët janë ankuar për paga të ulëta dhe pajisje të pamjaftueshme.

Qeveria kongoleze ka akuzuar vazhdimisht Ruandën fqinje se mbështet grupin M23. Këto akuza janë mohuar si nga Kigali, ashtu edhe nga rebelët, pavarësisht provave të shumta që tregojnë të kundërtën.

Muajin e kaluar, 27 ushtarë të tjerë u dënuan me vdekje për akuza të ngjashme për frikacakëri, pasi raportohet se ishin tërhequr nga vija e frontit gjatë përleshjeve me rebelët. Në mars të vitit 2024, Republika Demokratike e Kongos i dha fund një moratoriumi 20-vjeçar mbi dënimin me vdekje, duke argumentuar se ishte e nevojshme të largoheshin “tradhtarët” nga radhët e ushtrisë.

Qeveria njoftoi se dënimi kapital do të zbatohej edhe ndaj personave të përfshirë në grupe të armatosura, kryengritje, tradhti ndaj vendit dhe krime lufte. Rikthimi i dënimit me vdekje u kritikua gjerësisht nga organizatat e të drejtave të njeriut. Megjithatë, që prej heqjes së moratoriumit, nuk është kryer asnjë ekzekutim zyrtar.

Sipas të dhënave të mbledhura nga transmetuesi francez RFI, që nga fillimi i vitit 2025 janë dënuar të paktën 507 ushtarë, prej të cilëve 381 kanë marrë dënimin me vdekje. Në tetor të vitit 2025, edhe ish-presidenti i Kongos, Joseph Kabila, u dënua me vdekje në mungesë për akuza që përfshinin krime lufte dhe tradhti ndaj vendit.

Kabila i mohoi akuzat, por nuk u paraqit në gjykatë për t'u mbrojtur. Që atëherë, ai është emëruar udhëheqës i koalicionit rebel FRN.