
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu deklaroi se për herë të parë në buxhetin e vitit 2027 për shëndetësinë parashikohet financimi i PET-scanit në sektorin publik.
Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Spahiu tha se për këtë investim parashikohet një fond prej 250 milionë lekësh, për rreth 2 500 pacientë.
“Projekti do të zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Kemi të parashikuar për 2027-ën edhe pajisjet e brakiterapisë. Është gati për prokurim”, tha Spahiu.
Ministrja Spahiu theksoi se synimi për periudhën 2027-2029 është kalimi drejt një sistemi që vlerëson cilësinë dhe eficiencën e shërbimeve.
“Duam të kalojmë nga një sistem që fokusohet te financimi i strukturave dhe shërbimeve drejt një sistemi që vlerëson cilësinë, eficiencën dhe rezultatet për pacientin”, deklaroi ajo.
Sa i përket kujdesit parësor, Spahiu bëri të ditur se janë parashikuar 7.51 milionë vizita, me një fond prej 1.6 miliardë lekësh. Programi Check-Up do të vijojë me financim prej 876 milionë lekësh, përmes strukturave publike.
“Është hequr tavani dhe e ofrojmë Check-Up pa limit moshe, duke synuar të mbulojmë edhe moshën e tretë, me rreth 100 mijë kontrolle bazë më shumë”, tha ministrja.
Ajo njoftoi gjithashtu zgjerimin e vaksinimit kundër HPV-së, me kalimin nga vaksina katërvalente në atë nëntëvalente dhe përfshirjen e djemve në program, si dhe financimin e 20 mijë testeve molekulare të HPV-së, me një fond prej 60 milionë lekësh.