Tuesday / November 10 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Qeveria, platformë të re transparence, akses privat në të dhënat shtetërore dhe shërbime cloud

Share Share Icon

Qeveria synon të krijojë një platformë të re për transparencën e projekteve publike dhe ndjekjen e ankesave të qytetarëve, të mundësojë aksesin e sektorit privat në të dhënat shtetërore kundrejt tarifave dhe të zgjerojë përdorimin e teknologjisë cloud në sistemet qeveritare.

Ndryshimet parashikohen në projektligjin “Për qeverisjen elektronike”, të hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe të hedhur për konsultim publik, i cili ndërhyn në tre fusha të administrimit digjital të shtetit. Projektligji krijon bazën ligjore për “Pasqyra Albania”, e përcaktuar si “platforma kombëtare për transparencën dhe komunikimin me qytetarët”.

Nëpërmjet saj, qytetarët dhe bizneset do të mund të aksesojnë dokumentacionin publik, të ndjekin ecurinë e projekteve shtetërore dhe të gjurmojnë kërkesat dhe ankesat e paraqitura pranë institucioneve.

Sipas relacionit shoqërues, aktualisht informacioni mbi projektet publike, përfshirë financimin, afatet dhe fazat e realizimit, publikohet në burime të ndryshme ose nuk është i disponueshëm në mënyrë të strukturuar.

“Informacioni mbi statusin e çështjes ndodhet i shpërndarë në sisteme të ndryshme institucionale, shpesh i paaksesueshëm për personin e interesuar”, thuhet në relacion, duke iu referuar kërkesave dhe ankesave të qytetarëve.

Platforma do të ndërveprojë me sistemet ekzistuese qeveritare, pa krijuar regjistra të rinj. Zhvillimi dhe mirëmbajtja do të realizohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), drejtpërdrejt ose përmes shoqërive operatore të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). Një tjetër ndryshim lidhet me aksesin e sektorit privat në bazat shtetërore të të dhënave.

Projektligji zgjeron funksionin e platformës qeveritare të ndërveprimit, duke i ngarkuar AKSHI-t mundësimin e lidhjes teknike për subjektet private, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin përkatës.

“Duke qenë se aksesi i subjekteve private shërben për veprimtari me qëllim fitimi, projektligji parashikon që ai të jetë i tarifuar dhe që të ardhurat të derdhen në buxhetin e shtetit”, thekson relacioni.

Llojet dhe niveli i tarifave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ministria nuk ka paraqitur ende një vlerësim të të ardhurave të pritshme, ndërsa rregullat e aksesit dhe mbrojtjes së të dhënave personale trajtohen në projektligjin shoqërues për bazat e të dhënave shtetërore.

Ndryshimet përfshijnë edhe zgjerimin e infrastrukturës qeveritare të hostimit, duke njohur shprehimisht përdorimin e infrastrukturës virtuale dhe shërbimeve cloud computing në Qendrën e të Dhënave Qeveritare dhe Qendrën e Vazhdueshmërisë së Punës.

“Sot, infrastrukturat moderne bazohen në platforma virtualizimi dhe në shërbime cloud”, thuhet në relacion, ku theksohet se shumë teknologji të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, ofrohen kryesisht në këtë formë.

Detyrimi për ruajtjen e të paktën një kopjeje të të dhënave shtetërore brenda territorit shqiptar mbetet i pandryshuar. Sipas ministrisë, zbatimi i ndryshimeve do të realizohet brenda fondeve ekzistuese, pa krijuar struktura të reja institucionale apo shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Ulen me 2 lekë për litër çmimet e naftës dhe benzinës

Çmimet e naftës dhe benzinës janë ulur me 2 lekë për litër, sipas vendimit më të fundit të Bordit të Transparencës. Çmimi maksimal i shitjes me pak...

1 hour më parë 1 Min Lexim

Lindjet në tremujorin e tretë 2026 zbresin në minimum historik, prirja e rënies duket pa kthim

Lindjet në Shqipëri ranë në 5,787 në tremujorin e tretë të vitit 2026, duke shënuar rënie prej 10.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti...

2 hours më parë 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!