Legjenda e muzikës Paul McCartney ka arritur një tjetër sukses, këtë herë jashtë skenës. Ish-anëtari i grupit legjendar Beatles tashmë është bërë miliarder, me një pasuri të përllogaritur në 1.4 miliardë dollarë.
Sipas vlerësimit më të fundit të revistës Forbes, McCartney renditet si muzikanti i tretë më i pasur në botë, pas Jay-Z, me 2.8 miliardë dollarë, dhe Taylor Swift, me 2 miliardë dollarë.
Pasuria e tij është krijuar ndër vite përmes të drejtave muzikore, koncerteve, investimeve dhe koleksionit të artit. Një rol të rëndësishëm ka kompania MPL Communications, e themeluar prej tij në vitin 1969, e cila administron katalogun e këngëve të McCartneyt dhe të artistëve të tjerë.
Përmes saj, muzikanti zotëron të drejta mbi krijime të Buddy Holly, muzikalet e Broadway-it dhe këngë të njohura të Krishtlindjeve. Sipas Forbes, vetëm këto asete kapin vlerën e afro 250 milionë dollarëve.
Të ardhura të konsiderueshme siguron edhe nga trashëgimia e Beatles. McCartney zotëron 25 për qind të kompanisë Apple Corps, e cila gjeneron rreth 50 milionë dollarë në vit nga platformat digjitale, shitjet e disqeve dhe produktet promocionale. Ai përfiton gjithashtu rreth 10 milionë dollarë në vit nga të drejtat e autorit për këngët e grupit.
Në pasurinë e tij përfshihen edhe të ardhurat nga turneu “Got Back”, gjatë të cilit zhvilloi 79 koncerte nga viti 2022 deri në vitin 2025, pronat e paluajtshme në vende të ndryshme dhe një koleksion veprash arti, ku bëjnë pjesë krijime të Magritte dhe Picasso.
Pavarësisht moshës, McCartney vazhdon të jetë aktiv në muzikë. Në maj të këtij viti publikoi albumin e tij më të fundit, “The Boys of Dungeon Lane”, ndërsa në korrik interpretoi këngën e Beatles “I Want to Hold Your Hand” për herë të parë pas 60 vjetësh, në një festë madhështore në Madison Square Garden.
Jeta e tij pas largimit nga Beatles është trajtuar gjithashtu në dokumentarin “Man on the Run”, me regji të Morgan Neville, të publikuar këtë vit.










