Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mund të përballet këtë javë me një votim në Dhomën e Përfaqësuesve për shkarkimin e tij, pasi një kongresmen republikan e akuzoi për shkelje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe abuzim me pushtetin, përfshirë zhvillimin e luftës kundër Iranit pa miratimin e Kongresit. Kongresmeni republikan, Thomas Massie, nga Kentaki, paraqiti të hënën, një rezolutë me tetë akuza kundër Hegseth, duke nisur një afat dyditor për shqyrtimin e saj në Dhomën e Përfaqësuesve. “Duke u përfshirë në luftime në Iran për më shumë se 90 ditë pa autorizimin e Kongresit, sekretari Hegseth po shkel ligjin dhe duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi Massie. Nisma vjen pas zgjedhjeve të mesmandatit të javës së kaluar, në të cilat demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit. Megjithatë, republikanët do ta ruajnë shumicën deri në janar, kur ligjvënësit e rinj të marrin detyrën. Massie, i cili humbi garën për rizgjedhje dhe do të largohet nga Kongresi në janar, tha se synimi i tij është ta nxisë presidentin Donald Trump ta zëvendësojë Hegsethin përpara se demokratët të marrin kontrollin. “Përpjekja ime për shkarkimin e sekretarit Hegseth është një version shumë më i butë i asaj që do të vijë kur demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, vitin e ardhshëm”, tha Massie.