Nikoll Radaçi, 57-vjeçari i përfshirë në aksidentin e rëndë rrugor të 3 majit në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe mbeti i plagosur një tjetër, është dërguar për gjykim.
Ndaj tij rëndon akuza e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy të miturve. Seanca paraprake është parashikuar të zhvillohet sot në gjykatë, me dyer të mbyllura, raporton gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyçi.
Ndërkohë, organi i akuzës ka kërkuar pushimin e procedimit për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, të parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal, në zbatim të ligjit nr. 57/2026 “Për amnistinë”.
Ngjarja tragjike ndodhi më 3 maj, kur automjeti i drejtuar nga Radaçi u përfshi në një aksident që rezultoi fatal për dy fëmijë, të cilët ndodheshin në trotuar. Nga përplasja mbeti i plagosur edhe një i mitur tjetër.
Tashmë pritet që gjykata të shqyrtojë kërkesat e prokurorisë gjatë seancës paraprake dhe të vendosë nëse çështja do të kalojë në fazën e gjykimit.
