Më shumë se 800 veshje, aksesorë dhe sende personale që i përkisnin Princeshës Diana janë pjesë e koleksionit privat të amerikanes Renae Plant, e cila prej vitesh i është përkushtuar ruajtjes së kujtimeve dhe objekteve që lidhen me jetën e një prej figurave më të dashura të familjes mbretërore britanike.

Gjithçka nisi në vitin 1983, kur Plant ishte vetëm 12 vjeçe. Gjatë një vizite të Princeshës Diana në Australi, ajo pati mundësinë ta takonte nga afër dhe të gjente një objekt të vogël prej balte që princesha kishte humbur. Një episod që do të mbetej gjatë në kujtesën e saj dhe që, vite më vonë, do të shndërrohej në pikënisjen e një pasioni të jashtëzakonshëm.

Koleksioni nisi të merrte formë në vitin 2014, pas një ankandi të organizuar nga shtëpia e famshme Julien’s Auctions. Së bashku me bashkëshortin e saj, Livinio Stuyck, Plant filloi të blinte gjithnjë e më shumë veshje dhe sende që kishin qenë pjesë e jetës së Dianës, duke investuar shuma të konsiderueshme parash.

Ndër blerjet më të rëndësishme janë një fustan i krijuar nga Atelier Versace, për të cilin çifti pagoi 200 mijë dollarë në vitin 2015, si dhe fustani me lule i njohur si “Caring”, i blerë për 520 mijë dollarë në vitin 2025.

Një pjesë e këtij koleksioni të rrallë është prezantuar për publikun në ekspozitën “Princess Diana: Accredited Access Exhibition”, e organizuar në Bibliotekën dhe Muzeun Presidencial Ronald Reagan, në Kaliforni.

Sipas CNN vizitorët kanë mundësi të shohin nga afër disa prej veshjeve më ikonike të princeshës, letra personale, objekte nga fëmijëria e saj, si dhe fustanin prej kadifeje që Diana veshi në vitin 1985, gjatë vallëzimit të famshëm me aktorin John Travolta në Shtëpinë e Bardhë.

Mes pjesëve më interesante të ekspozitës është edhe një fustan i zi që Diana nuk arriti ta vishte kurrë. Princesha kishte kërkuar disa ndryshime në dizajn, por vdekja e saj tragjike në vitin 1997 bëri që veshja të mos përfundonte kurrë sipas dëshirës së saj.

Megjithatë, koleksionistja nuk ka ndërmend të ndalet këtu. Një nga objektivat e saj të radhës është sigurimi i fustanit të famshëm “Revenge Dress”, të dizajnuar nga Christina Stambolian, të cilin Diana e veshi në vitin 1994 dhe që u kthye në një prej veshjeve më të komentuara të saj.

Fustani pritet të dalë në ankand në Sotheby’s në Nju Jork, me një vlerësim fillestar nga 150 mijë deri në 300 mijë dollarë.

Përtej vlerës së tyre financiare, këto objekte përfaqësojnë fragmente të historisë personale të Princeshës Diana, duke i dhënë publikut mundësinë të zbulojë më nga afër stilin, jetën dhe kujtimet e një gruaje që vazhdon të mbetet ikonë edhe dekada pas vdekjes së saj.

1794315410_1.webp

1794315434_2.webp

1794315454_3.webp