Tetë vende të NATO-s kanë nisur një stërvitje pesëditore kundër nëndetëseve në Detin Baltik, ndërsa një komandant i lartë i ka cilësuar mjetet nënujore si një "kërcënim" të vazhdueshëm. Stërvitjet për gjuetinë e nëndetëseve, të cilat zhvillohen nga e hëna deri të premten në Suedi, përfshijnë gjithashtu Britaninë, Kanadanë, Danimarkën, Finlandën, Francën, Gjermaninë dhe Holandën. Deti Baltik është shndërruar në një arenë kyçe për të ashtuquajturën luftë "hibride", për të cilën vendet perëndimore fajësojnë Rusinë. Sipas aleancës, në këto operacione simuluese për gjuetinë e nëndetëseve do të marrin pjesë mijëra forca detare, nëndetëse nga Gjermania dhe Suedia, anije sipërfaqësore nga disa vende të ndryshme, si dhe patrulla ajrore. NATO ka shtuar praninë e saj detare në Detin Baltik, ku, sipas ekspertëve ushtarakë, sinjalet e nëndetëseve, çelësi për gjurmimin e tyre, mund të fshihen më lehtë në ujërat e cekëta që përshkohen nga një trafik i dendur detar. "Në këtë moment, nëndetësja është e vetmja teknologji që mund të dominojë nën sipërfaqen e detit," deklaroi për agjencinë AFP kundëradmirali John Craddock, komandant i NATO-s për nëndetëset. "Duhet të vazhdojmë të stërvitemi sepse derisa të arrijmë t'i bëjmë oqeanet vërtet transparente, nëndetëset do të mbeten një kërcënim", tha ai.