Kolla e vazhdueshme, kur duhet të shqetësohemi? Mund të jetë shenjë e sëmundjeve serioze

Kolla nuk është thjesht një reagim shqetësues i organizmit, por një mekanizëm mbrojtës që ndihmon sistemin e frymëmarrjes të largojë faktorët e dëmshëm. Megjithatë, kur ajo bëhet e vazhdueshme dhe përsëritet për një periudhë të gjatë, mund të jetë shenjë paralajmëruese e problemeve më serioze shëndetësore.
Sipas mjekut pneumolog Epaminonda Kosma, kolla që zgjat më shumë se dy muaj konsiderohet kronike dhe kërkon vlerësim të specializuar mjekësor. Ai thekson se identifikimi i shkakut është një sfidë diagnostikuese dhe terapeutike, ndaj ndërhyrja në kohë është e rëndësishme.
Kolla kronike mund të lidhet me sëmundje të ndryshme të sistemit të frymëmarrjes, si astma, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK), fibroza pulmonare, tuberkulozi, por edhe kanceri i mushkërive. Ajo mund të shkaktohet gjithashtu nga probleme jashtë sistemit respirator, si refluksi gastroezofageal apo pamjaftueshmëria kardiake.
Për të përcaktuar shkakun, rekomandohet një vlerësim të plotë, që përfshin historikun shëndetësor, karakteristikat e kollës, ekzaminimin klinik, spirometrinë dhe skanerin e kraharorit. Vëmendje e veçantë i kushtohet kohëzgjatjes, shpeshtësisë, faktit nëse kolla është e thatë apo shoqërohet me sekrecione, si dhe nëse shfaqet gjatë natës apo në periudha të caktuara të vitit.




