Kombëtarja mund të kishte bërë një fushatë mbreslënëse në grupin e Ligës së Kombeve në rast se nuk do të kishte gabuar në fillim të tetorit kundër Finlandës. Gabimet individuale të lojtarëve dhe dy goditje dënimi sollën humbjen e kuqezinjve. Pikërisht këtyre detajeve u trembet Armando Cungu në sfidën e kthimit që kuqezinjtë do të luajnë të enjten kundër Finlandës në ‘Air Albania’.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos shkaktojmë faulle kot në zona të panevojshme afër zonës tonë. Se dihet tashmë që çdo goditje dënimi është një rrezik potencial në portë,”-u shpreh Armando Cungu, trajner futbolli.
Fakti se që prej kësaj të marte janë shitur të gjithë biletat e stadiumit, sipas Armando Cungut, do ta ndihmojë shumë Kombëtaren.
“Më beso që prania e tifozëve është gjëja më fantastike që mund të ketë një ndeshje futbollli. Është prania e tifozëve që e bën një ndeshje më të bukur, që I jep ritëm tjetër, që i jep impuls e nxitje tjetër. E bën futbollin shumë të bukur, shumë më të shpejtë dhe të luftuar,”-tha Armando Cungu, trajner futbolli.
Në intervistën për Report TV Cungu thotë se kuqezinjtë nuk duhet të luajnë me llogari në dy ndeshjet e fundit të grupit në Ligën e Kombeve, por të kërkojnë të marrim maksimumin.
“Jo vetëm kundër Finlandës, por edhe kundër Bjellorusisë mundësitë dhe potenciali është real që të jemi superiore ndaj të dyve. Ti fitojmë të dyja ndeshjet. Skenarët me një barazim dhe fitore, ose me dy barazime … mua do më pëlqente që të ruajmë kreun e grupit me dy fitore sepse nuk kemi nevojë vetëm për të dalë të parët, por edhe për besim dhe atmosferë,”-deklaroi Armando Cungu, trajner futbolli.
Tre ditë pas ndeshjes me Finlandën, me 15 nëntor, kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e fundit në grup ndaj Bjellorusisë në Hungari.










Komente
Komento