Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj kërkon të marrë pjesë në Asamblenë e PS-së, letër Klosit dhe SPAK-ut


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor.

Përmes një shkrese zyrtare të dërguar nga paraburgimi i Fierit, ai i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, dhe prokurorit të çështjes në SPAK, duke kërkuar pjesëmarrje fizike ose, në pamundësi, përmes videokonferencës.

Në letrën e datës 10 nëntor, Veliaj argumenton se masa e sigurisë “arrest në burg” kufizon lirinë e tij të lëvizjes, por nuk duhet të nënkuptojë automatikisht humbjen e të drejtave politike dhe statutore.

Ai kujton se është anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe i Kryesisë së Partisë Socialiste, drejtues politik i qarkut Tiranë, kryetar i PS-së në kryeqytet dhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës.

“Aktualisht ndodhem në paraburgim në IEVP Fier, në zbatim të masës së sigurimit personal të caktuar ndaj meje. Kjo rrethanë më kufizon lirinë e lëvizjes, por nuk sjell, në vetvete, humbjen e të drejtave të mia politike dhe statutore, për aq sa ushtrimi i tyre është i pajtueshëm me kufizimet e ligjshme që burojnë nga masa e sigurimit dhe regjimi i paraburgimit”, shkruan Veliaj.

Në argumentimin e tij, kryebashkiaku i referohet neneve 17 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe nenit 11 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se kufizimet e të drejtave politike duhet të kenë bazë ligjore dhe të respektojnë parimin e proporcionalitetit.

Veliaj shprehet se pjesëmarrja në Asamblenë Kombëtare ka rëndësi për të, pasi synon të paraqesë personalisht qëndrimet dhe propozimet e tij për funksionimin dhe të ardhmen e Partisë Socialiste.

“Pjesëmarrja ime në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi të veçantë, pasi synoj të paraqes personalisht qëndrimet, propozimet dhe kërkesat e mia për çështje që lidhen me funksionimin e Partisë Socialiste, ushtrimin e përgjegjësive të organeve të saj dhe të ardhmen e organizatës politike ku bëj pjesë”, thekson ai.

Në kërkesën drejtuar Blendi Klosit, Veliaj kërkon të njoftohet zyrtarisht për orën, vendin, rendin e ditës dhe dokumentet që do të shqyrtohen në mbledhjen e 14 nëntorit.

Ai kërkon gjithashtu që strukturat e partisë të marrin masat organizative dhe teknike për pjesëmarrjen e tij fizike, nëse kjo autorizohet nga institucionet kompetente, ose të sigurojnë një lidhje të drejtpërdrejtë audiovizive nga paraburgimi i Fierit.

Përmes kësaj lidhjeje, Veliaj kërkon të ketë mundësinë të ndjekë diskutimet, të marrë fjalën, të paraqesë propozime dhe të ushtrojë të drejtat që i njeh statuti i partisë.

“Pjesëmarrja në një organ kolegjial nuk kufizohet vetëm te marrja dijeni për vendimet e tij. Ajo përfshin mundësinë reale për të dëgjuar, për t’u dëgjuar, për të diskutuar dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje, sipas rregullave statutore”, shkruan kryebashkiaku.

Në rast se pjesëmarrja e drejtpërdrejtë nuk mundësohet, ai kërkon që qëndrimi i tij me shkrim t’i paraqitet Asamblesë dhe të përfshihet në dokumentacionin e mbledhjes, duke theksuar se kjo nuk duhet të konsiderohet zëvendësim automatik i së drejtës për pjesëmarrje.

Ndërkohë, në kërkesën drejtuar SPAK-ut, Veliaj kërkon shqyrtimin urgjent të mundësisë ligjore për pjesëmarrjen fizike në mbledhje ose, në alternativë, përmes videokonferencës.

Ai sqaron se nuk po kërkon ndryshimin apo pezullimin e masës së sigurisë, por vetëm krijimin e kushteve për ushtrimin e të drejtave politike, pa cenuar regjimin e paraburgimit.

“Kjo alternativë nuk kërkon largimin tim nga institucioni, nuk cenon zbatimin e masës së sigurimit dhe mund të organizohet nën mbikëqyrjen e administratës penitenciare, duke respektuar kushtet ligjore dhe të sigurisë”, argumenton Veliaj.

Kryebashkiaku kërkon që çdo refuzim i mundshëm të mbështetet në një bazë konkrete ligjore dhe të jetë i arsyetuar, duke marrë në shqyrtim pjesëmarrjen në distancë si një alternativë më pak kufizuese.

Duke qenë se mbledhja e Asamblesë Kombëtare është caktuar për 14 nëntor, Veliaj kërkon që përgjigjja t’i komunikohet përpara kësaj date, në mënyrë që të mund të organizohet pjesëmarrja e tij.

“Mungesa e një përgjigjeje përpara zhvillimit të mbledhjes do ta bënte praktikisht të pamundur ushtrimin e të drejtës sime për të marrë pjesë në një proces konkret të vendimmarrjes politike”, shkruan ai.

Në përfundim të letrës, Veliaj thekson se kufizimi i lirisë personale nuk duhet të kthehet në përjashtim nga aktiviteti politik dhe nga funksionet që ai vijon të mbajë në Partinë Socialiste.

“Privimi nga liria nuk duhet të shndërrohet, përtej kufizimeve të domosdoshme dhe të ligjshme, në përjashtim nga jeta politike dhe nga ushtrimi i funksioneve statutore që vazhdoj të mbaj”, përfundon Veliaj.

Shkresa i është dërguar për dijeni edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe drejtuesve të institucionit të paraburgimit në Fier. Deri në momentin e publikimit të kërkesës, nuk bëhet e ditur nëse autoritetet kanë marrë një vendim për pjesëmarrjen e tij në Asamblenë e 14 nëntorit.

 

Letra e plotë: 

Fier, më 10.11.2026

DREJTUAR:

Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë

Prokurorit të çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)

PËR DIJENI:

Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve

Drejtorisë së IEVP Fier

LËNDA: Kërkesë urgjente për garantimin e pjesëmarrjes dhe ushtrimin e të drejtave statutore në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të datës 14 nëntor 2026, përmes pjesëmarrjes fizike ose, alternativisht, nëpërmjet videokonferencës.

I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm,

I nderuar z. Prokuror,

Në datën 14 nëntor 2026 është njoftuar zhvillimi i mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, organ më i rëndësishëm i drejtimit dhe vendimmarrjes politike të partisë në mes dy kongreseve.

Unë jam anëtar i Asamblesë Kombëtare, i Kryesisë së Partisë Socialiste, drejtues politik i qarkut Tiranë, kryetar i Partisë Socialiste Tiranë, si dhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë. Për rrjedhojë, pjesëmarrja ime në këtë mbledhje lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e të drejtave që më burojnë nga anëtarësia dhe funksionet e mia në organet drejtuese të partisë.

Aktualisht ndodhem në paraburgim në IEVP Fier, në zbatim të masës së sigurimit personal të caktuar ndaj meje. Kjo rrethanë më kufizon lirinë e lëvizjes, por nuk sjell, në vetvete, humbjen e të drejtave të mia politike dhe statutore, për aq sa ushtrimi i tyre është i pajtueshëm me kufizimet e ligjshme që burojnë nga masa e sigurimit dhe regjimi i paraburgimit. E drejta për organizim dhe pjesëmarrje në jetën politike gëzon mbrojtje kushtetuese dhe konventore. Nenet 17 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkojnë që kufizimet e ushtrimit të këtyre të drejtave të kenë bazë ligjore dhe të respektojnë parimin e proporcionalitetit.

Pjesëmarrja ime në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi të veçantë, pasi synoj të paraqes personalisht qëndrimet, propozimet dhe kërkesat e mia për çështje që lidhen me funksionimin e Partisë Socialiste, ushtrimin e përgjegjësive të organeve të saj dhe të ardhmen e organizatës politike ku bëj pjesë.

Për këto arsye, kërkoj të më mundësohet pjesëmarrja në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të datës 14 nëntor 2026, mundësisht në mënyrë fizike dhe nëse kjo nuk realizohet, nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë audiovizive.

 

I. KËRKESA DREJTUAR SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË SOCIALISTE

Në cilësinë e autoritetit përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë së organeve të partisë, ju kërkoj të ndërmerrni masat organizative dhe teknike për të garantuar pjesëmarrjen time efektive në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.

Në mënyrë të veçantë, kërkoj:

1. Të më njoftohen zyrtarisht ora, vendi, rendi i ditës dhe dokumentet që do të shqyrtohen në mbledhjen e datës 14 nëntor 2026.

2. Të merren masat për mundësimin e pjesëmarrjes sime fizike, nëse kjo autorizohet nga autoritetet kompetente.

3. Në alternativë, të sigurohet infrastruktura teknike për lidhjen time të drejtpërdrejtë me videokonferencë nga IEVP Fier, me mundësi për të ndjekur diskutimet, për të marrë fjalën, për të paraqitur propozime dhe për të ushtruar të drejtat e tjera që më njeh Statuti.

4. Të bashkërendohen paraprakisht veprimet me administratën e IEVP Fier dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për realizimin e lidhjes audiovizive, duke respektuar kërkesat e sigurisë së institucionit.

5. Nëse pjesëmarrja ime e drejtpërdrejtë nuk mundësohet, të më jepet mundësia që qëndrimi im i shkruar t’i paraqitet Asamblesë dhe të pasqyrohet në dokumentacionin e mbledhjes, pa e konsideruar këtë alternativë si zëvendësim automatik të së drejtës për pjesëmarrje.

Pjesëmarrja në një organ kolegjial nuk kufizohet vetëm te marrja dijeni për vendimet e tij. Ajo përfshin mundësinë reale për të dëgjuar, për t’u dëgjuar, për të diskutuar dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje, sipas rregullave statutore.

II. KËRKESA DREJTUAR PROKURORIT TË ÇËSHTJES

Duke qenë se ndodhem nën masën e sigurimit personal “arrest në burg”, ju kërkoj të shqyrtoni me urgjencë mundësinë ligjore të pjesëmarrjes sime fizike në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare dhe sipas kompetencës suaj, të jepni miratimin përkatës ose t’ia përcillni kërkesën pa vonesë autoritetit kompetent për vendimmarrje. Nëse pjesëmarrja fizike nuk mund të realizohet, kërkoj që të shqyrtohet dhe të mundësohet pjesëmarrja ime nëpërmjet videokonferencës nga ambientet e IEVP Fier.

Kjo alternativë nuk kërkon largimin tim nga institucioni, nuk cenon zbatimin e masës së sigurimit dhe mund të organizohet nën mbikëqyrjen e administratës penitenciare, duke respektuar kushtet ligjore dhe të sigurisë. Theksoj se kërkesa ime nuk synon ndryshimin, pezullimin apo shmangien e masës së sigurimit personal. Ajo synon vetëm gjetjen e një mënyre proporcionale për ushtrimin e një të drejte politike dhe statutore, pa cenuar qëllimet e ligjshme të paraburgimit. Për këtë arsye, kërkoj që çdo kufizim apo refuzim të mbështetet në një bazë konkrete ligjore, të arsyetohet dhe të marrë në shqyrtim mundësinë e pjesëmarrjes në distancë si alternativë më pak kufizuese.

III. URGJENCA E SHQYRTIMIT

Duke qenë se mbledhja e Asamblesë Kombëtare është caktuar për datën 14 nëntor 2026, kërkoj që kjo kërkesë të shqyrtohet menjëherë dhe që vendimmarrja të më komunikohet në kohë të mjaftueshme për organizimin e pjesëmarrjes. Mungesa e një përgjigjeje përpara zhvillimit të mbledhjes do ta bënte praktikisht të pamundur ushtrimin e të drejtës sime për të marrë pjesë në një proces konkret të vendimmarrjes politike.

Privimi nga liria nuk duhet të shndërrohet, përtej kufizimeve të domosdoshme dhe të ligjshme, në përjashtim nga jeta politike dhe nga ushtrimi i funksioneve statutore që vazhdoj të mbaj.

Në përfundim, kërkoj që Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe autoritetet kompetente të bashkërendojnë veprimet e nevojshme për të garantuar pjesëmarrjen time efektive në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të datës 14 nëntor 2026, fizikisht ose, alternativisht, nëpërmjet videokonferencës.

Me respekt,

ERION VELIAJ

Anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste

foto galeri

foto galeri

foto galeri