Prokuroria italiane ka kërkuar 24 vite burg për 45-vjeçarin Moreno Violetto, i akuzuar për vrasjen e shqiptarit Fatos Cenaj, 58 vjeç, në Fontaniva, në provincën e Padovës.

Kërkesa u paraqit nga prokurorja Maria D’Arpa në përfundim të pretencës në Gjykatën e Assizes në Padova. Violetto akuzohet për vrasje me dashje, të kryer me paramendim dhe për motive të ulëta.

Sipas akuzës, vrasja e Cenajt nuk ishte rezultat i një konflikti mes dy familjeve, por lidhej me një urrejtje të përgjithshme të 45-vjeçarit ndaj fqinjëve të tij. Prokurorja argumentoi se objektivat e vërtetë të autorit dyshohet se ishin vajza dhe dhëndri i viktimës, ndërsa Fatos Cenaj u bë shënjestra më e lehtë për t’u goditur.

“Fatos ishte viktima sakrifikuese më e lehtë dhe më e arritshme”, u shpreh prokurorja gjatë seancës.

Në mbështetje të kësaj teze, ajo përmendi edhe një përgjim të kryer pas krimit, ku Violetto dyshohet t’i ketë thënë partneres së tij: “Kështu trëndafilat do të vuajnë edhe pak”, duke iu referuar, sipas akuzës, dhimbjes së vajzës së Cenajt dhe mbesave të tij pas humbjes së familjarit.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 qershor 2025. Fatos Cenaj, ish-punonjës i burgjeve në Shqipëri, u qëllua me armë zjarri në kokë, teksa lëvizte me biçikletë në një rrugë në Fontaniva. Ai ndërroi jetë në spital pas tre ditësh në gjendje të rëndë.

Moreno Violetto, i cili ka pranuar pjesërisht autorësinë e krimit, rrezikonte burgim të përjetshëm për shkak të rrethanave rënduese. Megjithatë, prokuroria kërkoi 24 vite burg, duke marrë në konsideratë edhe rrethanat lehtësuese.

Top Channel