Kampioni i xhudos, Teddy Riner vendosi kandidaturë për për presidencën e Francës. 12 herë kampion bote dhe fitues i pesë medaljeve të arta olimpike, 37-vjeçari me origjinë nga Guadelupa iu drejtua francezëve përmes një videoje, në të cilën prezantoi lëvizjen ‘Franca që duam’.

Me këtë nismë, ai synon të hyjë në garën për Pallatin Élysée dhe të pajtojë e bashkojë qytetarët, të cilët janë gjithnjë e më të përçarë.

‘E di mirë se çfarë do të thonë për mua: ‘Është çmendur, nuk është pjesë e këtij ambienti, nuk i njeh rregullat e lojës, nuk ka bërë kurrë politikë’’-tha Riner, i vetëdijshëm për skepticizmin që mund të ngjallë hyrja e tij në politikë-Nuk do të jem një prej atyre që qëndrojnë duarkryq dhe shohin vendin të marrë flakë, duke kërkuar justifikime për të mos bërë asgjë. Lufta ka qenë gjithmonë pjesë e imja. E di çfarë do të thotë të luftosh, të rrëzohesh dhe të ngrihesh sërish, gjithmonë’,

Xhudisti shpjegon gjithashtu se nuk ka ndërmend t’i japë fund karrierës sportive dhe as të heqë dorë nga pjesëmarrja në Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit në vitin 2028, nëse detyra që synon ta marrë përsipër do t’ia lejojë dhe nëse francezët do ta dëshirojnë një gjë të tillë. Riner e cilëson veten «as të djathtë dhe as të majtë», ndërsa shton: ‘Franca ka nevojë për ambicie, sens të shëndoshë dhe forcën e bashkimit për të kapërcyer vështirësitë. Ne nuk do të dorëzohemi-tha ai.

Që në shtator të vitit 2025, ai kishte deklaruar: ‘Nëse nesër do të hyja në politikë, nuk do ta bëja për t’u bërë ministër, por për të pasur një rol që më jep mundësinë të ndryshoj gjërat. Për mua, posti më i përshtatshëm do të ishte ai i presidentit’.

Qëndrimet e tij të fundit politike kanë qenë në kundërshtim me të djathtën dhe partinë Tubimi Kombëtar (Rassemblement National). Ai ka kritikuar projektligjin e paraqitur nga ministri i atëhershëm i Brendshëm, Bruno Retailleau, i cili parashikonte ndalimin e mbajtjes së shamisë nga sportistet gjatë garave sportive. Gjithashtu, më 23 shtator, gjatë një interviste televizive, ai shprehu shqetësimin për përparimin e ekstremit të djathtë duke shkaktuar një valë të madhe komentesh raciste në rrjetet sociale. Këto reagime bënë që Prokuroria e Parisit të niste një hetim. Mik i mbretit të Marokut, Mohammed VI, Riner ka jetuar vitet e fundit mes Marrakeshit dhe Parisit. Tashmë ai shprehet i gatshëm të përshkojë Francën për t’u takuar me qytetarët dhe për të nisur fushatën elektorale, e cila do të financohet përmes donacioneve, por edhe me fondet e tij personale.

Një pengesë e parë dhe aspak e vogël, do të jetë mbledhja deri në muajin mars e 500 firmave të përfaqësuesve të zgjedhur politikë (deputetë, senatorë, kryetarë bashkish, këshilltarë bashkiakë etj.), të cilat janë të domosdoshme që kandidatura e tij të miratohet. Emri i Riner i shtohet listës së rreth 30 kandidatëve që kanë shpallur tashmë kandidimin, ndërsa në javët e ardhshme mund të hyjnë në garë edhe emra të tjerë, si Christine Lagarde (BQE), Thierry Breton (ish-komisioner evropian) dhe François Hollande (ish-president i Francës).

Raundi i parë është parashikuar të zhvillohet më 18 prill, ndërsa i dyti më 2 maj. Sondazhet e javëve të fundit kanë nxjerrë në pah vetëm dy kandidatë që po krijojnë një epërsi të qartë ndaj rivalëve: ajo e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, favoritja kryesore me rreth 35% të preferencave të votuesve, dhe ai i së majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon, me rreth 18%. Ky i fundit ka afërsisht gjysmën e mbështetjes së Le Pen, por gjithsesi është dukshëm përpara kandidatëve të tjerë të qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë, si ish-kryeministrat e kampit të Macronit, Édouard Philippe dhe Gabriel Attal, apo socialdemokrati Raphaël Glucksmann, të cilët mbeten në kuotën e rreth 10%. Një sondazh i mëparshëm i institutit Vérian, i publikuar në dhjetor 2025, e vlerësonte mbështetjen për Riner në rreth 3%. Tashmë që ai ka zyrtarizuar kandidaturën, priten rezultatet e sondazheve të ardhshme për të parë se si do të ndikojë kjo në mbështetjen ndaj tij.

Shtimi i numrit të kandidatëve tregon se, përveç Le Pen dhe Mélenchon, asnjë kandidat tjetër nuk po arrin të shndërrohet, të paktën deri më tani, në një pikë referimi për të gjithë ata që nuk duan të votojnë për krahët ekstremë të politikës franceze.

 

Top Channel