Shpërthimi tragjik në Elbasan, Demo takon familjet e prekura: Në pritje të ekspertizës për fatin e pallatit

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ishte sot në Elbasan, ku takoi nga afër familjet e prekura nga shpërthimi që përfshiu një pallat 5-katësh në lagjen “Qemal Stafa” 6 ditë më parë, ku humbën jetën 2 persona, ndërsa 10 të tjerë mbetën të plagosur.
Si pasojë e shpërthimit, banorët e pallatit kanë mbetur tashmë pa banesë, ndërsa Demo tha se kjo problematikë do të ndiqet në vazhdimësi për të gjetur një zgjidhje afatgjatë.
“Ne jemi këtu sot për të treguar vullnetin e qartë të të gjitha institucioneve që kjo situatë do të marrë një zgjidhje. Këtë problematikë do ta ndjekim në vazhdimësi, për të gjetur zgjidhjen afatgjatë. Bashkia është këtu për të dhënë ndihmën dhe mbështetjen e parë, për të kaluar këtë periudhë tranzitore, por patjetër që kjo situatë kërkon një zgjidhje më afatgjatë. Këtu do të nevojitet ndërhyrja dhe bashkëpunimi i disa institucioneve”, , u shpreh Demo.
Lidhur me të ardhmen e godinës së dëmtuar, Demo theksoi se çdo vendim do të merret mbi bazën e ekspertizës teknike, duke vendosur mbi gjithçka sigurinë e jetës së banorëve.
“Jemi në pritje të raportit përfundimtar dhe, pas këtij raporti, alternativat që do të marrim në konsideratë do të bazohen mbi rezultatet e tij. Inxhinierët do të vlerësojnë strukturën e godinës dhe ndërhyrjet e mundshme që mund të kryhen. Në bazë të këtij informacioni do të përcaktojmë alternativat për t’i dhënë zgjidhje problematikës”, deklaroi Demo.
Ministri kërkoi bashkërendim të vazhdueshëm mes institucioneve përgjegjëse, me qëllim që procesi i vlerësimit teknik, mbështetja për strehimin dhe hapat drejt zgjidhjes afatgjatë të ndiqen pa vonesa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



