
Ka nisur në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës procesi gjyqësor ndaj 57-vjeçarit Nikollë Radaçi, i cili më 3 maj u përfshi në një aksident të rëndë rrugor, ku humbën jetën dy fëmijë, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur. Seanca e parë u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të përfshirjes së të miturve në këtë ngjarje tragjike. Ajo zgjati vetëm pak minuta, pasi mbrojtja kërkoi që çështja të gjykohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Shqyrtimi i vendimit pritet të vijojë në seancën e ardhshme.
Një nga zhvillimet që ka shoqëruar procesin është lehtësimi i akuzës ndaj Radaçit. Nga akuza janë hequr elementët që lidhen me përdorimin e alkoolit dhe largimin nga vendi i aksidentit, si pasojë e përfitimit nga amnistia e zbatuar më herët. Avokati mbrojtës, Aleksandër Ndreaj, ka deklaruar se sipas testit të kryer pas aksidentit, klienti i tij kishte konsumuar një sasi të vogël alkooli.
Ky zhvillim është kundërshtuar ashpër nga familjarët e viktimave. Babai i fëmijës së plagosur e cilëson lehtësimin e akuzës si një padrejtësi të madhe, duke kërkuar që drejtësia të vihet në vend. Ai ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet dhe do ta ndjekë çështjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Për veprën penale që i ka mbetur, atë të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri, Nikollë Radaçi rrezikon një dënim nga 5 deri në 20 vite burg.
