E ardhmja e Michael Carrick në stolin e Manchester Unitedit vazhdon të jetë e paqartë, pavarësisht se presioni për ndryshime në drejtimin e skuadrës po rritet.

Sipas raportimeve të mediumit britanik talkSPORT, drejtuesit e klubit anglez nuk pritet të marrin një vendim të menjëhershëm për të ardhmen e trajnerit, edhe pse brenda klubit po shqyrtohet mundësia e shkarkimit të tij.


Shefi ekzekutiv Omar Berrada dhe drejtori i futbollit Jason Wilcox pritet të takohen të martën në Monaco me bashkëpronarin e klubit, Sir Jim Ratcliffe, ku thuhet se do të rekomandojnë ndryshimin e trajnerit.

Megjithatë, nga ky takim nuk pritet të ketë ndonjë vendim përfundimtar apo njoftim të menjëhershëm.

Ndërkohë, njëri prej emrave kryesorë që po përmendet si pasues i mundshëm i Carrick është Mauricio Pochettino.

Ish-trajneri i Chelseat dhe Tottenhamit raportohet se ka një klauzolë largimi prej shtatë milionë funtesh në kontratën e tij me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër, Carrick është paraqitur në qendrën stërvitore të klubit, Carrington, ku ka marrë drejtimin e seancës stërvitore me një grup të reduktuar futbollistësh, përpara se të ndiqte nga afër një ndeshje të ekipit U-18 të Manchester Unitedit. /Telegrafi/