Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbledhur drejtorët vendorë të Policisë, duke kërkuar më shumë rezultate në parandalimin e krimit, garantimin e sigurisë në shkolla dhe ndjekjen e konflikteve që mund të çojnë në ngjarje kriminale.
Gjatë takimit, Hita vlerësoi punën e bërë deri tani, por theksoi se rezultatet e arritura nuk janë të mjaftueshme. Ai kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit vendorë, duke vënë theksin te përmirësimi i sigurisë dhe rritja e besimit të qytetarëve te Policia.
Një nga kërkesat kryesore ishte forcimi i pranisë policore në shkolla dhe parandalimi i konflikteve mes nxënësve, në bashkëpunim me mësuesit, oficerët e sigurisë dhe prindërit. Hita kërkoi gjithashtu më shumë punë për kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë, goditjen e trafikut të drogës, krimit ekonomik dhe armëmbajtjes pa leje.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rasteve të dhunës në familje, për të cilat kreu i Policisë kërkoi trajtim me prioritet, si dhe ndjekjes së konflikteve për të parandaluar përshkallëzimin e tyre. Ai u kërkoi drejtuesve të përmirësojnë shkëmbimin e informacionit mes strukturave policore dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me qytetarët.
Në fund të takimit, Hita u bëri të qartë drejtorëve vendorë se ecuria e tyre në detyrë do të varet nga rezultatet konkrete që do të arrijnë në punë.










Komente
Komento