
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të martën rrëzimin e 22 kërkesave të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për pavlefshmërinë e kërkesës për gjykim dhe të akuzave për çështjen penale lidhur me aferën e sterilizimit, pavlefshmëri të provave të SPAK, si dhe atë për pushimin e çështjes.
Kryesuesja e trupit gjykues, Rudina Palloj lexoi për rreth dy orë një përmbledhje të vendimit të marrë për kërkesat e shumta të Beqajt dhe avokatëve të tij. Sipas Pallojt, kërkesat për pushimin e akuzave dhe pushimin e çështjes nuk i nënshtrohen vlerësimit të gjykatës në këtë fazë gjykimi. Po ashtu, u cilësuan të pamjaftueshme shkaqet e ngritura nga Beqaj për pavlefshmërinë e kërkesës për gjykim.
Për kërkimin lidhur me pushimin e çështjes, gjykata bëri me dije se nuk mund të shprehet para se procesi të mbërrijë në vendimin përfundimtar. “Nuk mund të shqyrtohet në fazën e kërkesave paraprake”, vërejti gjyqtarja Palloj dhe shtoi se këto kërkime paraqiten gjatë hetimit paraprak dhe gjykimit në seancën paraprake.
Për kërkimin drejtuar gjykatës për t’u shprehur mbi akuzën, trupi gjykues vlerëson se nëse do të bënin një gjë të tillë, atëherë do të paragjykohej procesi dhe vendimarja.
Gjykata vlerëson se nuk qëndrojnë shkaqet e ngritura për pavlefshmërinë e akteve të fashikujve gjyqësorë. Lidhur me një kërkesë për papërdorshmëri të provave, gjykata vlerësoi që të shprehet në vijim.
Avokati Ermal Yzeiraj konstatoi se para paraqitjes së 22 kërkesave, kishin kryer edhe një kërkesë të mëparshme për pushimin e çështjes dhe kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese. Kryesuesja Palloj deklaroi se ato kërkime do të vlerësohen në vijimësi.
Yzeiraj u shpreh se ishte i paqartë me vendimarrjen e gjykatës, por kryesuesja Palloj konstatoi se në këtë gjykim të çështjes në themel me procedurë të zakonshme, nuk mund të merret vendim lidhur me kërkesën e pushimit.
Në vijim gjykata u kërkoi prokurorëve të SPAK të parashtronin edhe njëherë akuzën. Prokurori Edvin Kondili konstatoi se akuzat janë vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup i strukturuar kriminal, ashtu si është përcaktuar në vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake për kalimin e çështjes për gjykim. Ai vërejti se prokurori nuk mund të hartonte akuzë të re në seancën paraprake, pasi nuk e ka një atribut të tillë. “Ne kemi ardhur në këtë gjykim bazuar në një vendim gjyqësor”, konstatoi Kondili.
Ndërkohë, i pandehuri Ilir Beqaj konstatoi se vendimi gjyqësor i seancës paraprake ka akuza të ndryshme nga ajo e shpërdorimit të detyrës, e ngritur prej prokurorëve të çështjes.
Gjykata shtyu seancën për më datë 2 dhjetor, në orën 13:00, për t’ju dhënë kohë mbrojtësve të të pandehurit që të njihen me vendimin që rrëzoi kërkimet e tyre, që të mund të përgatisin qëndrimin e tyre.
SPAK e kërkoi gjykimin e Beqajt për aferën e sterilizimit vetëm për shpërdorim detyre, por gjykata gjatë seancës paraprake konkludoi mbi të njëjtat akte, se i pandehuri kishte konsumuar veprat penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup i strukturuar kriminal.
Beqaj pretendoi gjatë seancave të mëparshme se është cënuar procesi i rregullt ligjor gjatë hetimeve paraprake, si dhe akuza e ngritur ndaj tij është e paligjshme dhe e pavlefshme. Sipas tij, akuza që është kaluar për gjykim i është ngritur nga gjykata, pasi prokuroria që ka tagrin të bëjë një gjë të tillë, ka pasur tjetër vlerësim e bindje. Ai pretendoi se hetimi ndaj tij kishte filluar para se t’i regjistrohej emri në procedimin penal, si dhe ngriti pretendime për mungesë aksesi tek provat duke kërkuar pavlefshmëri të tyre e pushimin e çështjes.
Prokurorët Kondili dhe Nakuçi i kanë kundërshtuar si të pabazuara pretendimet dhe kërkimet e Beqajt.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetëra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, post nga u dorëhoq në nëntor të vitit 2023. Në tetor të atij viti ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Veç për aferën e sterilizimit, Beqaj është dërguar për gjykim edhe për aferën korruptive me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave përmes faturave fiktive, në kohën kur ai drejtonte SASPAC. Për këtë çështje ai u arestua më datë 4 korrik të vitit 2024.







