Kamber Sulçajt, 48-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë, i janë zbutur akuzat lidhur me ngjarjen.
Nga akuza për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, çështja është rikualifikuar në vrasje për shkak të tronditjes së fortë psikike.
Ndryshimi i akuzës mund të ndikojë në pozicionin ligjor të Sulçajt, i cili tashmë rrezikon të lërë qelinë brenda një kohe të shkurtër.
Çështja ndodhet në fazën e seancës paraprake, ku gjykata do të shqyrtojë akuzat dhe do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim.
Biznesmeni italian Edoardo Sarchi, administrator i fabrikës “Tegola Edilcentro”, u vra në shtator të vitit 2025 në Tepelenë. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Nivicë-Salari, pas një konflikti të dyshuar mes palëve për përdorimin e dritave të gjata të automjeteve.
Sipas hetimeve, Sulçaj dyshohet se qëlloi me armë gjahu në drejtim të automjeteve, duke i shkaktuar vdekjen biznesmenit italian.













