Shqipëria po përballet me një rënie të ndjeshme të lindjeve dhe me një situatë gjithnjë e më shqetësuese sa i përket infertilitetit. Gjinekologu Shkëlqim Balili në "Rreze Dielli" në Report Tv,  ka ngritur alarmin për këtë fenomen, duke renditur disa nga faktorët që, sipas tij, ndikojnë në uljen e pjellorisë dhe në tkurrjen e numrit të lindjeve në vend.

Gjatë një diskutimi mbi këtë çështje, Balili theksoi se Shqipëria ka pësuar një rënie drastike të lindshmërisë, duke e konsideruar këtë një problem me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit.

“Shqipëria ka një ulje drastike të lindjeve. Kemi qenë 2,5% dikur, ndërsa sot jemi në 1,1%, një ulje e jashtëzakonshme. Ky është një problem i madh, jetik. Një nga problemet esenciale të vendit tonë është infertiliteti. Neve na ka ikur mosha riprodhuese. Ka dhe një problem tjetër: nëse do të kthejmë kokën pas, sot vëmë re se nuk shihet më shumë mosha, gjeni, sëmundjet gjinekologjike etj. Pra, sot ne jetojmë në një shoqëri moderne, kemi një ushqim të ri modern”, u shpreh Balili.

Një ndër faktorët ku u ndal veçanërisht gjinekologu ishte mënyra moderne e të ushqyerit dhe ekspozimi i përditshëm ndaj substancave kimike. Sipas tij, përdorimi i produkteve të paketuara dhe i ushqimeve të përpunuara mund të ndikojë negativisht në shëndet dhe në funksionin riprodhues.

“Ushqimet tona sot janë të kontaminuara me substanca të jashtme. Kemi në përdorim bisfenolin, një nga substancat toksike që gjendet te plastika. Në anën tjetër janë ftalatet, që gjenden te parfumet, shampot, sapunët dhe lëndët kimike. Edhe i kuqi i buzëve, edhe kremrat që përdoren janë me lëndë kimike. Në anën tjetër, ne përdorim shumë sheqerna, shumë brumëra, kafe, pica, supa të paketuara, ujë në plastikë. Kjo është të vrasësh veten”, u shpreh ai.

Balili u ndal edhe te konsumi i bukës së bardhë, duke këshilluar që ajo të zëvendësohet me alternativa integrale.

“Ne hamë shumë bukë të bardhë. Nuk ka asnjë proteinë, nuk rregullon as tretjen dhe përkeqëson mikrobiomën. Përdorni bukë integrale ose bukë gruri pa ngjyrues. Para disa muajsh është hequr edhe acidi folik, i cili doli i patretshëm për njerëzit”, tha ai.

Çfarë duhet të bëjnë çiftet për të përmirësuar pjellorinë?

Në përfundim, gjinekologu renditi disa këshilla që, sipas tij, lidhen me një mënyrë jetese më të shëndetshme dhe që mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit riprodhues:

Gjumi: Është një element i rëndësishëm për ekuilibrin hormonal. Kufizoni përdorimin e telefonit para gjumit, pasi pushimi ndihmon në rikuperimin e organizmit dhe në rregullimin e funksioneve hormonale.

Mbajtja nën kontroll e peshës: Si mbipesha, ashtu edhe nënpesha mund të ndikojnë në aftësinë riprodhuese. Mbipesha mund të shoqërohet me çrregullime hormonale, metabolike dhe probleme me funksionin e vezoreve.

Njohja e periudhës së ovulacionit: Është e rëndësishme që gratë të ndjekin ciklin menstrual dhe të identifikojnë ditët më pjellore. Periudha fertile përfshin disa ditë përreth ovulacionit, duke qenë se spermatozoidet mund të mbijetojnë për disa ditë në traktin riprodhues femëror. Matni periudhën e ovulacionit, shihni ditën e parë të ciklit, hiqni 14 ditë dhe dalin ditët e ovulacionit. Dritarja e pjellorisë te gratë është 5 ditë, ashtu siç jeton sperma në vaginën e femrës.

Menaxhimi i stresit: Stresi mund të ndikojë në ekuilibrin hormonal të organizmit. Për këtë arsye, është e rëndësishme të gjenden mënyra për ta reduktuar atë dhe për t'i kushtuar më shumë vëmendje mirëqenies fizike dhe emocionale.

Në kushtet kur numri i lindjeve vijon të bjerë dhe gjithnjë e më shumë çifte përballen me vështirësi për të pasur fëmijë, çështja e fertilitetit po kthehet në një sfidë të rëndësishme demografike dhe shëndetësore për Shqipërinë.