SPAK ka thirrur për t’i marrë në pyetje më 12 nëntor, në orën 10:00, kryetarin e PD-së, Sali Berisha, dhe Jamarbër Malltezin, në cilësinë e kallëzuesve në hetimin ndaj gjyqtares së posaçme Irena Gjoka.
Thirrja e tyre vjen pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të mos pranuar kërkesën e prokurorisë për pushimin e procedimit penal dhe për të urdhëruar vijimin e hetimeve ndaj gjyqtares që ka firmosur kërkesat e SPAK në dosjen “Partizani”.
SPAK kishte kërkuar mbylljen e çështjes, me argumentin se, megjithëse ishte konstatuar ekzistenca e një vendimi penal ndaj Gjokës nga drejtësia greke, nuk ishte provuar se ajo kishte pasur dijeni për të në kohën kur plotësoi formularët e dekriminalizimit. Prokuroria kishte pretenduar gjithashtu se ndjekja penale ishte parashkruar.
Por, me vendimin e 19 majit 2026, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e SPAK dhe caktoi rreth 20 detyra hetimore, duke i lënë prokurorisë një afat prej gjashtë muajsh për plotësimin e hetimeve.
Në qendër të çështjes është dyshimi se Irena Gjoka nuk ka deklaruar në formularët e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë të Greqisë. Gjyqtarja ka deklaruar më herët se nuk ka pasur dijeni për këtë vendim.
Marrja në pyetje e Berishës dhe Malltezit është një nga veprimet hetimore të kërkuara nga Gjykata e Posaçme, e cila ka urdhëruar gjithashtu verifikime të mëtejshme në Greqi për rrethanat e vendimit penal dhe dijeninë që mund të ketë pasur gjyqtarja për të.a.b




