Prokuroria e Posaçme thërriti kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha për ta marrë në pyetje në lidhje me kallëzimin e dorëzuar prej tij kundër gjyqtares, Irena Gjoka. Së bashku me Berishën, prokurorët e posaçëm kanë kërkuar marrjen në pyetje më 12 nëntor edhe të dhëndërit të tij, Jamarbër Malltezi, edhe ky si kallëzues i gjyqtares. Berisha pretendon se Irena Gjoka ka falsifikuar dokumentacionet në formularin e dekriminalizimit, duke mos deklaruar një dënim të dhënë nga drejtësia greke në fillim të viteve 2000. SPAK kërkoi në gjykatë që të mbyllë procedimin penal, por në maj të këtij viti kërkesa u rrëzua dhe gjykata urdhëroi vijimin e hetimeve. Sipas vendimit të gjykatës, prokurorët e posaçëm kanë një afat gjashtë mujor që të plotësojnë dosjen me veprime të tjera hetimore, mes të cilave edhe marrja në pyetje e kallëzuesve të Irena Gjokës.