Dy shtetas shqiptarë, 26 dhe 20 vjeç, janë arrestuar nga karabinierët në Tor San Lorenzo të Italisë, nën akuzën e mbajtjes së lëndëve narkotike me qëllim trafikimin.
Gjatë dy operacioneve të zhvilluara brenda 24 orëve, policia sekuestroi kokainë, crack, hashash dhe marijuanë.
Operacionet u zhvilluan nga karabinierët e Stacionit të Tor San Lorenzo, në kuadër të kontrolleve kundër trafikut të drogës. Ndërhyrja e parë u krye në bulevardin San Lorenzo, ku efektivët vunë re 26-vjeçarin duke i dorëzuar një personi tjetër një pako të vogël përmes portës së një banese.
Me të parë karabinierët, i riu u largua me automjetin e tij, duke shkaktuar një ndjekje nga policia. Ajo përfundoi në qytetin e Aprilias, në rrugën Adda, ku 26-vjeçari u ndalua.
Gjatë kontrollit të automjetit, karabinierët gjetën dhe sekuestruan:
-12 gramë kokainë, të ndarë në 26 doza;
-2 gramë crack, në 4 paketime;
-3 gramë hashash, të ndarë në 4 paketime.
Operacioni i dytë u zhvillua ditën pasuese, kur karabinierët ndaluan gjatë drejtimit të automjetit një tjetër shtetas shqiptar, 20 vjeç.
Gjatë kontrollit të makinës, efektivët zbuluan të fshehura në vende të ndryshme:
-10 gramë kokainë, të ndarë në 27 doza;
-3 gramë crack, në 5 doza;
-2 gramë hashash;
-1 gram marijuanë.
Të dy të arrestuarit janë shtetas shqiptarë, të moshës 26 dhe 20 vjeç, me banim në Aprilia. Ata akuzohen për mbajtje të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen dhe aktualisht ndodhen në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.










