Një figurë mes diplomacisë, ambicies dinastike dhe çështjes shqiptare, për Gjin Aladro Kastriotin apo Princ Kastriotin ende sot ngrihet pyetja nëse ishte një pretendues për fronin apo një patriot i çështjes shqiptare.

Ambasada e Spanjës, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle, ka çelur një ekspozitë historike-dokumentare kushtuar spanjollit Juan Pedro Aladro Pérez Domec y Kastriota.

Përtej pretendimit për fronin shqiptar në fillim të shekullit XX, ekspozita sjell në vëmendje veprimtarinë dhe mbështetjen e tij për çështjen kombëtare shqiptare. Dokumente, libra, kartolina dhe dëshmi arkivore, shumë prej të cilave prezantohen për herë të parë për publikun shqiptar.

“Rëndësia e kësaj ekspozite është jo vetëm sepse këtu janë nxjerrë disa materiale që janë edhe libra, edhe kartolina, edhe periodikë... Kjo do të mbetet historianëve ta vendosin.”, tha drejtuesja e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi.

Përmes dy cikleve tematike, ekspozita ndjek gjurmët e Aladros dhe përfshirjen e tij në çështjen shqiptare. Nga kontaktet me figura të Rilindjes Kombëtare, te financimi i botimeve patriotike, lobimi në shtypin evropian dhe mbështetja për sigurimin e armëve. Mes materialeve spikat edhe harta e parë toponimistike në gjuhën shqipe, e botuar më 1902 me ndihmën e tij financiare.

“Nikolla Lako, drejtori i parë i kësaj biblioteke. Ka punuar në vitet 1903 si sekretar në Paris i Aladro Kastriotit dhe mendimin e Aladro Kastriotit, një pjesë e fondit të bibliotekës së Aladro Kastriotit së bashku me libra të tjerë janë sjellë nga Korça, pra kanë udhëtuar nga Parisi drejt Korçës dhe janë vendosur në fondin e bibliotekës publike ‘Thimi Mitko’, duke krijuar kështu fondin e artë albanologjik të bibliotekës. Sot prezantohemi me 10 tituj prestigjiozë të tij, në të cilët shohim edhe shenja të veçanta, të cilat janë shënime me dorë. Ndërkohë tek një libër tjetër që flet për etnogjenezën shqiptare të intelektualit arbëresh Gerardo Conforti. Dhe ndodhen dy foto në libër. Ndodhet fotoja e Skënderbeut dhe fotoja e Gjin Aladro Kastriotit. Duket se këtë libër intelektuali i shquar arbëresh ia kushton Aladro Kastriotit. Njëkohësisht është edhe stema e familjes së Aladros, të cilën Aladro e ka përdorur kur ka kur ka ushtruar aktivitetin e tij dhe veprimtarinë e tij në Paris.”, tha drejtuesja e bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë, Jorida Tollkuçi.

Historia zbulohet edhe përmes librave të bibliotekës së tij personale, kartolinave me shkrim dore dhe dokumenteve që dëshmojnë marrëdhëniet me personalitete shqiptare të kohës.

“Përfundojnë me një dokument shumë interesant të vitit 1930, i cili përpiqet të dokumentojë ose përpiqet që të vërtetojë le të themi edhe një variant tepër të përfolur dhe shumë të popullarizuar se Alad Kastrioti ishte personi, i cili i dhuroi Eqrem bej Vlorës flamurin, i cili u valëvit në Vlorë në vitin 1912.  Kjo ekspozitë përpiqet që të dokumentojë veprimtarinë patriotike dhe proshqiptare të Aladro Kastriotit gjatë gjatë viteve të tija kur u përfshi me një zell të jashtëzakonshëm në çështjen shqiptare nga viti 1900 deri në vitin 1914 kur mbylli sytë për herë të fundit në Paris.”, tha kuratori Xherardo Nikjari.

Ekspozita kushtuar Aladro Kastriotit do të qëndrojë e hapur deri më 15 nëntor.