
Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, ka kritikuar qeverinë Rama për rritjen e kostove të strehimit, duke deklaruar se një të riu në Shqipëri i duhen 60 deri në 70 vite kursime për të blerë një garsoniere në periferi të Tiranës. Sipas Memellit, çmimet e larta të banesave e kanë kthyer strehimin në një luks të papërballueshëm për mijëra qytetarë dhe familje. Ajo akuzon gjithashtu qeverinë se ka lejuar që sektori i ndërtimit të shndërrohet në një kanal për pastrimin e parave që burojnë nga krimi dhe korrupsioni.
Deklarata e plotë
Shqipëria po përjeton një nga krizat më të rënda të strehimit në Europë dhe ky është produkt i një modeli ekonomik dhe politik që ka braktisur qytetarët dhe ka favorizuar interesat e një grushti njerëzish. Shifrat e publikuara janë një akuzë e rëndë ndaj kësaj qeverie. Blerja e një banese është bërë 76.3% më e shtrenjtë në raport me të ardhurat, krahasuar me vitin 2015. Ndërsa çmimet e banesave janë rritur me 214.4%, të ardhurat e disponueshme për frymë janë rritur vetëm me 78.4%.
Ky është rezultati i 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës. Shqiptarët punojnë më shumë, paguajnë më shumë, por mund të përballojnë gjithnjë e më pak. Nëse dhjetë vite më parë një banesë kushtonte sa dhjetë vite të ardhura, sot duhen 17.6 vite të ardhura të plota për të blerë të njëjtën banesë. Në Tiranë, një apartament prej 100 metrash katrorë kushton mesatarisht rreth 195 mijë euro. Një çift i ri që dëshiron të krijojë familje përballet vetëm me një zgjedhje absurde, të heqë dorë nga ëndrra për të pasur një shtëpi në vendin e tij ose të largohet nga Shqipëria.
Nuk është aspak e rastësishme që të rinjtë janë ngritur në protestë. Ata kanë të drejtë të kërkojnë një të ardhme në vendin e tyre, të drejtën për të punuar, për të krijuar familje dhe për të pasur një çati mbi kokë. Kur një i ri duhet të kursejë 60 deri në 70 vite për të blerë një garsoniere në periferi të Tiranës nuk është më një krizë strehimi, por një dënim ekonomik i një brezi të tërë. Çfarë të ardhmeje mund t’u ofrojë kjo qeveri të rinjve të vet, kur edhe banesa më modeste është kthyer në një luks të paarritshëm? Protesta e tyre është zëri i një brezi që nuk pranon të sakrifikojë gjithë jetën për të siguruar atë që duhet të ishte një mundësi normale, shtëpinë e vet.
Të rinjtë nuk mund të ndërtojnë jetën mbi premtime elektorale, ndërsa qeveria i sheh kullat që ngrihen si tregues të suksesit ekonomik dhe injoron mijëra familje që nuk kanë mundësi të blejnë as një apartament modest. Por pas kësaj fasade të rritjes së sektorit të ndërtimit fshihet edhe një tjetër problem shumë i rëndë, modeli i narkoekonomisë që ka ndërtuar qeverisja e Edi Ramës, i mbështetur kryesisht te ndërtimi. Një sektor që është kthyer në një lavatriçe gjigante për pastrimin e parave të pista që burojnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Publikimet e Albanian Files kanë ngritur pikëpyetje dhe kanë sjellë në vëmendje pretendime serioze për lidhjet mes pushtetit, interesave kriminale dhe këtij modeli ekonomik. Këto janë çështje që kërkojnë transparencë dhe hetim të plotë, përfshirë edhe përgjegjësinë politike të Edi Ramës për mënyrën se si është ndërtuar dhe funksionon ky model. Ndërsa shqiptarët nuk përballojnë dot çmimet e banesave, kullat shumëkatëshe vazhdojnë të mbijnë në çdo cep të vendit. Ky model, nuk prodhon mirëqenie për qytetarët, por përqendron pasurinë dhe përfitimet në duart e një pakice të lidhur me pushtetin, ndërsa koston e paguajnë familjet shqiptare.
Qeveria nuk mund të vazhdojë të fshihet pas fasadës së rritjes ekonomike, kur qytetari nuk arrin të blejë një shtëpi me të ardhurat nga puna e tij. Nuk mund të flasë për politika pro familjes, ndërkohë që e bën krijimin e një familjeje gjithnjë e më të papërballueshëm. Partia e Lirisë e konsideron strehimin një të drejtë dhe një kusht themelor për ndërtimin e një familjeje, jo një privilegj për ata që kanë kapital apo lidhje me pushtetin.
Për këtë arsye, në programin tonë, “5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus”, për çiftet e reja kemi vendosur në qendër mundësinë për të siguruar një banesë të përballueshme, mbështetjen financiare për familjet e reja dhe nënat, si dhe krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe jo në emigracion. Ne besojmë se politika duhet të mbështesë ata që duan të punojnë, të krijojnë familje dhe të jetojnë në vendin e tyre, jo t’i detyrojë të zgjedhin emigrimin.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë kulla që pasurojnë pak njerëz, por për politika që u japin mundësi shqiptarëve të kenë çatinë e tyre mbi kokë. Një qeveri që nuk u garanton të rinjve mundësinë për të ndërtuar një familje dhe për të pasur një shtëpi, nuk mund të pretendojë se po ndërton të ardhmen e vendit. Ajo po ua shet atë të ardhme shqiptarëve, me çmime që ata nuk mund t’i përballojnë! Faleminderit!
